Mesfushori i Teutës justifikon Xhixhën: Ndërhyrje që ndodh, emocionuese të luaja si “ish” ndaj Laçit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 22, 2018 | 21:14

Mesfushori i Teutës justifikon Xhixhën: Ndërhyrje që ndodh, emocionuese të luaja si “ish” ndaj Laçit

Fitorja përballë Laçit risjell qetësi dhe optimizëm në radhët e Teutës që arriti të parën në transfertë. Skuadra po përshtatet dhe mesfusha funksionoi. Një nga senatorët e mesfushës është edhe Sherif Kallaku, i cili në këtë përballje luante ndaj ish-skuadrës së tij, ndaj së cilës zhvilloi një performancë pozitive. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai shpreh emocionet si “ish”, rëndësinë e fitores si dhe episodin në startin e ndeshjes nga ndërhyrja e Xhixhës.

teuta

Ndërhyrje horror e Xhixhës. Si jeni pas saj dhe a pësuat dëmtim?

Luajmë futboll dhe ndërhyrjet ndodhin. Ishte e rrezikshme për mënyrën sesi ndodhi, por fatmirësisht nuk pësova lëndim. Mendoj se ishte thjesht pjesë e lojës dhe jo e qëllimshme.

Përballë Laçit si ish, çfarë emocionesh patët?

Ishte një ndeshje shumë e rëndësishme për mua. Bëhej fjalë për një ndeshje speciale sepse ishte përballë të kaluarës time dhe arritëm të merrnim një fitore shumë të merituar. Kundërshtari nuk kishte humbur dhe vinte me moral të lartë, por treguam gjithçka dhe dominuam me rezultat dhe me lojë. Jam shumë i lumtur për këtë fitore.

Sa e rëndësishme ishte kjo fitore për Teutën?

Kishim shumë nevojë për vazhdimësinë e rezultateve pozitive, gjë që na kishte munguar deri tani. Erdhëm në këtë takim pas fitores me Kastriotin dhe pa dyshim duhej rezultat pozitiv edhe ndaj Laçit. Më e rëndësishmja ishte që të mbanim kontaktin me ekipet e kreut.

E ka ekipi moralin e duhur në nisjen e fazës së dytë për Europën?

Ne e kemi nisur sezonin me objektivin për të arritur Kupat e Europës dhe pa dyshim kemi punuar dhe vazhdojmë të punojmë për ta arritur. Mendoj se jemi ende herët për të bërë llogari në këtë pikë të sezonit.

Keni fituar besimin e trajnerit dhe jeni pjesë e formacionit. Sa e vështirë është ta ruash?

Është më se e vërtetë që Shkëmbi më ka dhënë besimin e tij dhe unë jam munduar gjithmonë t’ia shpërblej, të jap më të mirën time, si në fushë, por edhe në stërvitje. Më motivon ky fakt që të jap 120 për qind të mundësive të mia gjithmonë, në stërvitje dhe në ndeshje.

A keni ndonjë peng nga faza e parë?

Ndoshta në disa raste nuk kemi pasur fatin me vete dhe kanë lënë vendin për hapa fals apo dhe për të lënë pikë gjatë rrugës.

Mendoni se në fazën e dytë do të bëni më mirë?

Me plot gojën them që do të bëjmë më mirë, jam i sigurt. Duke filluar nga kryesia e klubit, stafi teknik dhe ne futbollistët, punojmë me shumë përkushtim dhe dëshirë që të përfaqësojmë denjësisht fanellën e Teutës. Frytet e punës do t’i marrim dalëngadalë me kohën.

Cila është pika më e fortë e kësaj Teute?

Mendoj se pika më e fortë është grupi. Ne jemi një familje.

Luani ndaj Flamurtarit, mendoni se e keni kaluar ngërçin e transfertave?

Kundërshtari i radhës është Flamurtari dhe ne e njohim si luan apo dhe forcën që disponon. Megjithatë, ne kemi objektivat tona dhe siç e thashë, ne marrim çdo ndeshje një nga një. Futemi në fushë për të fituar, pavarësisht nëse luajmë në shtëpi apo jashtë. Mendoj se nuk ka qenë ngërç, por thjesht çështje kohe.

Anarildo Alia

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"