Mesfushori i Tërbunit fton lojtarët pukjanë: Nëse bëhemi bashkë, ngjitemi!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 22, 2022 | 11:33

Mesfushori i Tërbunit fton lojtarët pukjanë: Nëse bëhemi bashkë, ngjitemi!

Anderson Filipi është “i blinduar”. Ai ka kontratë edhe për sezonin 2022-2023, ndaj ndihet i qetë për këtë pjesë. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, mesfushori e vlerëson si të suksesshëm kampionatin e fundit.

TERBUNI 1

“Pushimet kanë nisur, por unë vazhdoj të stërvitem individualisht. Ishte hera e parë që unë luaja me fanellën e ekipit të vendlindjes dhe emocionet që përjetova ishin të mëdha.

Unë kam një kontratë dyvjeçare me Tërbunin, kështu që edhe sezonin e ardhshëm do jem këtu. Kampionati që sapo mbyllëm ishte i lodhshëm, por ne shkuam aty ku donim.

Ekipi bëri një performancë shumë të mirë dhe kapi ‘play off’-in. Për këtë jam i kënaqur, ndonëse dëshira ishte e madhe që të vazhdonim më tej.

Në planin personal, mendoj se bëra mirë. Dhashë maksimumin, por ama ‘etja’ më është shtuar. Do të jem kërkues ndaj vetes vitin tjetër dhe, pse jo, të arrij të shënoj më shumë.

Këtë sezon e gjeta vetëm dy herë rrjetën, por i shijova pa fund. Kam besim se drejtuesit do të afrojnë lojtarë cilësorë në merkato. Duhet të përforcohemi për t’ia dalë me sukses.

Ndërkohë që kam një ftesë për të gjithë futbollistët pukjanë, që luajnë për ekipe të tjera: Bashkohuni me ekipin e vendlindjes. Të gjithë bashkë do t’ia dalim ta ngjisim Tërbunin në elitë”, përfundoi 19-vjeçari.

DITMIR PEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"