Mesfushori i Pogradecit i lëshon “sfidë” Besëlidhjes: Do t’i mposhtim, në Elbasan shkëlqejmë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 23, 2020 | 10:51

Mesfushori i Pogradecit i lëshon “sfidë” Besëlidhjes: Do t’i mposhtim, në Elbasan shkëlqejmë

Pogradeci e do me çdo kusht ngjitjen në Kategorinë Superiore, ndaj nuk ka në plan që t’i ikë nga duart ky shans që i erdhi. Rruga do të jetë e vështirë, e megjithatë të besuarit e Ardjan Abazajt ndihen gati për të kaluar fillimisht pengesën me emrin “Besëlidhja”. Këtë e pohon për “Panorama Sport” edhe mesfushori Ildi Shyti, i cili është i lumtur edhe për faktin që kjo finale “play off”-i do të luhet në Elbasan.ildi shyti

“Po kalojmë një moment të mirë dhe kjo na bën më optimistë. Jemi gati për ndeshjen kundër Besëlidhjes. Grupi e ka kaluar edhe atë ngërç psikologjik të disa javëve më parë. Tani realiteti është krejt ndryshe. Kjo finale është specifike, por ne do të dimë ta menaxhojmë. Është një lajm vërtet i mirë, që do të luajmë në Elbasan. Kjo, pasi është një fushë e shkëlqyer. Kështu ekipi ynë do të ketë mundësi të shprehet mjaft mirë.

Kemi lënë pas disa ndeshje që i kemi zhvilluar në fusha të shkreta dhe ku nuk luaje dot”, tha fillimisht autori i 4 golave. Liqenorët janë shprehur se u mungonte informacioni mbi kundërshtarin, e megjithatë 28-vjeçari nuk ka drojë.

“Duke parë disa ndeshje të Besëlidhjes, kemi krijuar një ide mbi lojën e tyre dhe ne po përpunojmë strategjinë tonë për t’iu kundërvënë. Ata kanë disa elementë shumë të mirë, sikurse edhe kanë dobësi, por gjithsesi janë kundërshtarë shumë të fortë”, përfundoi Shyti.

ROMEO XINXIFI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"