Mesfushori i Kamzës nuk njeh frikë: Jemi të etur për fitore, radhën e ka Skënderbeu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 17, 2018 | 18:53

Mesfushori i Kamzës nuk njeh frikë: Jemi të etur për fitore, radhën e ka Skënderbeu

Kamza vijon përgatitjet e ndeshjes së radhës me një moral të lartë, pasi vijnë në këtë takim pas një fitore të bujshme me Kukësin. Fitorja me kampionët ka bërë që Kamza ta presë me optimizëm sfidën me Skënderbeun. Por adrenalina për një tjetër fitore këtë të diel ndaj korçarëve është shtuar edhe më shumë, pasi kanë marrë lajmin për situatën e bardhekuqve.

Kamza-Skenderbeu

Kamzalinjtë e trajnerit Ndreu këtë radhë do të kërkojnë maksimumin dhe objektivi është fitorja. Në ekip ndodhen disa lojtarë që kanë luajtur në të shkuarën me korçarët, madje një pjesë e tyre sezonin e shkuar. Në dy ndeshjet e para, Skënderbeu nuk ia ka dalë të fitojë dhe Kamzën kjo e motivon akoma më shumë skuadrën e Ndreut. Gjithashtu, bardhekuqtë nuk vijnë nga një periudhë e mirë, duke pasur parasysh bujën që ka bërë lajmi se kërkohet dënimi për ta përjashtuar Skënderbeun për 10 vite nga pjesëmarrja në Kupat e Europës.

Mungesat në mbrojtje të Jashanicës së dëmtuar dhe Kristi Vangelit të pezulluar janë të rëndësishme dhe te Kamza do tentohet shfrytëzimi i këtij momenti për ta fituar këtë ndeshje. Në këtë linjë është dhe mesfushori i vetëm kamzali, i cili ka dalë nga ekipet zinxhirë, Xhuljo Mehmeti: “E dëshirojmë shumë këtë fitore, jo vetëm se na duhen pikët, por dhe për imazhin e skuadrës sonë, e cila, pas asaj fitoreje në Kukës, jemi të etur për ta fituar edhe takimin me Skënderbeun. Do të hyjmë në fushë me objektivin e vetëm që është fitorja. Dua të na mbështesë edhe tifozëria se nuk do t’i zhgënjejmë”, u shpreh Mehmeti.

Abdulla Dushku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"