Mesfushori i kampionëve nuk llogarit asnjë pengesë, Kimish tremb rivalët: Mos të lodhen, i shkelim të gjithë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 5, 2022 | 17:05

Mesfushori i kampionëve nuk llogarit asnjë pengesë, Kimish tremb rivalët: Mos të lodhen, i shkelim të gjithë

Kushdo që ka ndjekur ndonjëherë fshehurazi një seancë stërvitore të Bajernit në “Sebener Shtrase”, do ta njohë zëdhënësin e klubit nga zërat. Ai është Joshua Kimish, zëri i të cilit tingëllon si altoparlant. Që nga ky sezon, mesfushori i kombëtares gjermane është emëruar kapiten i tretë nga trajneri Julian Nagelsman, pas portierit Manuel Nojer dhe sulmuesit Tomas Myler. Në një intervistë të dhënë për të përditshmen e Mynihut, “TZ” mesfushori i kombëtares ka folur për sezonin e ri të Bundesligës dhe pritshmëritë e tij nga skuadra e tij. Ai nuk ka harruar t’u lëshojë një mesazh të fortë paralajmërues të gjithë rivalëve të Bajernit në Gjermani. Sipas Kimishit, askush nuk do të mund ta thyejë hegjemoninë e kampionëve të Gjermanisë në fuqi.

kimish

Bajerni e nis sezonin nga Frankfurti, si e vlerësoni kundërshtarin?

Frankfurti është gjithmonë një rival i sikletshëm, veçanërisht kur flitet për javën e parë të kampionatit. Ata treguan sezonin e kaluar se janë gjithashtu të aftë për të luajtur futboll të bukur e argëtues. Mjafton të shihni Ligën e Europës, ku mundën Barcelonën dhe shkuan ta fitonin atë. Veç kësaj ata janë përmirësuar ndjeshëm në merkato, teksa kanë marrë një lojtar të shkëlqyer si Mario Gëce.

Meqë jemi te Gëce, çfarë mund të presim prej tij?

Jam i lumtur që ai është kthyer në Bundesligë dhe që do të shihemi sërish. Është shumë mirë për kampionatin tonë të kemi një lojtar me cilësi të tilla si të atij.

Sa gati është Bajerni për nisjen e sezonit?

Sigurisht që kemi shumë punë për të bërë dhe mjaft gjëra për t’u përmirësuar. Finalja e Superkupës tregoi se ende kemi probleme, pasi morëm tre gola. Madje ishin gola të evitueshëm, ndaj kjo është për të ardhur keq. Ne tani e kemi të qartë se ku duhet të përmirësohemi.

Ju jeni emëruar kapiteni i tretë i Bajernit pas Nojerit dhe Mylerit. A jeni marrë edhe me temën e lidershipit?

Për këtë kam lexuar libra. Të promovohesh në kapiten i tretë është e bukur, por jo vendimtare për mua tani. Por më bëri të kuptoj se kam qenë këtu shtatë vjet dhe jam lojtari i tretë i Bajernit me më shumë ndeshje pas Nojerit dhe Mylerit. Kjo nuk është e lehtë te një klub si Bajerni.

Si e shihni këtë Bajern dhe rivalët?

Duket sikur skuadra është zgjeruar në fushë. Në ekip janë afruar lojtarë të shkëlqyer, vërtet cilësorë. Nëse shihni se cilët lojtarë u zëvendësuan kundër Lajpcigut e kupton fare mirë se çfarë Bajerni është ndërtuar. Jemi një skuadër brutalisht cilësore. Kur të gjithë lojtarët do të jenë në formën e tyre optimale, Bajerni do të jetë i papërmbajtshëm. Rivalët duhet të tremben, sepse kështu si jemi nuk na ndal askush.

LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"