Mesfushori i Apolonisë mesazh tifozëve, Smaçi: Mos e humbisni besimin te ne

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 21, 2021 | 16:01

Mesfushori i Apolonisë mesazh tifozëve, Smaçi: Mos e humbisni besimin te ne

Nuk ka pushim në Fier. Apolonia po përgatit me kujdes ndeshjen me Butrintin, e cila vlen për kthesën. Fierakët nuk kanë në plan që të dorëzohen as për objektivat madhorë, kur dihet që në lojë janë mjaftueshëm pikë. I këtij mendimi është edhe Eriseldo Smaçi. Mesfushori beson se kjo javë do të sjellë fitoren dhe për “Panorama Sport” paralajmëron se skuadra shumë shpejt do të ngjisë shkallët në renditje.

Smaci Apolonia

“Stërvitjet kanë shkuar mirë dhe ne jemi mirë fizikisht. Jemi përgatitur maksimalisht dhe kjo është java e kthesës së madhe. Jemi të motivuar për të marrë një fitore sepse na ndihmon shumë për fillimin e ngjitjes në renditje. Atmosfera në kampin tonë është shumë e mirë dhe e qetë. Kemi analizuar gabimet dhe tanimë jemi të fokusuar te Butrinti. Jemi të bashkuar dhe të bindur që do e kalojmë këtë fazë të vështirë, sepse kampionati është i gjatë dhe duam të rikuperojmë sa më shumë pikë.

Kemi humbur shumë raste dhe jemi ndëshkuar nga episodet. Kjo është nisja që kemi dashur, mirëpo ne jemi të motivuar për të vazhduar përpara. Apolonia do të gjejë rezultate pozitive dhe ngjitet më lart në renditje. Patjetër që do të fitojmë, sepse ky është synimi i vetëm që kemi. Ne do të kërkojmë fitoren që nga minuta e parë e takimit pasi nuk na lejohen më gabime.

Tanimë çdo ndeshje është si një finale dhe ne duhet t’i fitojmë me radhë, nëse duam të arrijmë objektivin sezonal. Edhe pse janë të pakënaqur me ne, kam një mesazh për tifozët: të mos e humbasin besimin, sepse fitoret do të vijnë me domosdo. I ftojmë të marrin pjesë në ndeshjen e fundjavës sepse kemi shumë nevojë për ta në këtë moment tonin të vështirë”, përfundoi Smaçi.

HILMI SALIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"