Mesfushori brazilian dhe mbrojtësi Rrumbullaku, ja ngërçet që duan zgjidhje te Kukësi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 18, 2018 | 21:34

Mesfushori brazilian dhe mbrojtësi Rrumbullaku, ja ngërçet që duan zgjidhje te Kukësi

Kukësi ka bërë disa hapa para sa i përket merkatos, pasi ka afruar lojtarë shumë cilësorë si Sebino Plaku, Melo, Aleks Cano, Zguro, Maloku, Qaqi, Maliqi, e së fundmi Spehan, i cili dhe pse është grumbulluar me Kukësin, ende nuk ka firmosur, pasi pret lejen e kalimit nga Kluzh, klub i cili ka në pronësi kartonin e tij. Por, paçka aspektit pozitiv të afrimeve verilindorët kanë probleme me disa lojtarë kryesorë si Elton Kale dhe Simon Rrumbullaku. Të dy futbollistët nuk u kthyen në Tiranë kur Kukësi rinisi stërvitjen me datën 11 qershor dhe gjithashtu nuk e bën as kur ekipi udhëtoi në Slloveni me datë 15. Kështuqë udhëtimi i tyre vështirë se do të ndodhë.

Kukesi-Vllaznia

BRAZILIANI – Kale është duke shijuar pushimet në Brazil, por duket se ato do të jenë të gjata. Zyrtarë të klubit thonë për gazetën se mesfushori është me leje, pasi po kryen terapi për shkak të shpatullës së dëmtuar, në fund të kampionatit, por “Panorama Sport” zbulon se nuk është kjo arsyeja e vërtetë e kësaj mosardhje të lojtarit. Burime të sigurta theksojnë për gazetën se arsyeja e vërtetë e moskthimit të shtatshkurtrit është pretendimi për kontratën. Sipas lojtarit dhe përfaqësuesit të tij, kontrata me Kukësin futbollistit i ka përfunduar me mbarimin e kampionatit, e nëse Kale do të kthehet, do kërkojë një kontratë të re me plot 7 mijë euro në muaj dhe kjo u është bërë me dije drejtuesve të klubit.

Kale është paguar te Kukësi në gjysmën e sezonit të parë kur u bë pjesë e skuadrës me 2500 euro në muaj, ndërsa sezonin që kaloi, ku shkëlqeu dhe bëri diferencën me verilindorët në takimet e zhvilluara pati një rritje të vogël rroge. Tashmë, braziliani i di vlerat e vetes ndaj ka kërkuar dyfishim rroge, plot 7 mijë euro në muaj, shumë të cilën vështirë ta marrë duke parë pagesat në klub. Nuk dihet si do zgjidhet ky ngërç mes palëve, por ka shumë mundësi që nëse klubi nuk i ngre rrogën lojtarit, do ta ketë vështirë ta ketë në dispozicion për Champions Ligë. Kale ka dhe një ofertë joshëse nga kampionati polak. Sakaq, klubi pretendon se brazilianit i përfundon kontrata mbas kupave të Europës. Braziliani më parë ka luajtur për Estoril, Tondela, Uniao Madeira, Belenses në Portugali e më pas në kampionatin grek në radhët e Ergotelis.

MBROJTËSI – Të njëjtin problem si Kale ka edhe Rrumbullaku, i cili ka pretendime për kontratën. Ai pretendon se i ka skaduar kontrata, ndërsa sipas klubit 27- vjeçari ka kontratë dhe për dy vite me Kukësin. Aktualisht, Rrumbullaku ndodhet në Greqi dhe shtyu ardhjen në Shqipëri. Nuk dihet se si do të veprojë klubi me sjelljen e tij, do e mbylli me konsensus apo do e gjobisë lojtarin, pasi nuk është bashkuar në kohë me grupin dhe pse palët thonë se lojtari është me leje. Rrumbullaku kërkon një kontratë të re me rritje page. Pritet që dhe Albi Alla të udhëtojë direkt për në Slloveni, mbrojtësi ka marrë leje nga klubi për shkak se po bën terapi intensive në shtetin grek. Alla ka vuajtur nga një tërheqje që nga data 9 maj kur Kukësi u ndesh me Teutën në Durrës.

S.Sulozeqi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"