Mesfusha vuan, Kieza-De Ligt të pazëvendësueshëm/ Ja situata te bardhezinjtë e Juventusit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 24, 2021 | 19:40

Mesfusha vuan, Kieza-De Ligt të pazëvendësueshëm/ Ja situata te bardhezinjtë e Juventusit

Pranvera nuk vjen me një lule, ashtu si një fitore nuk do të thotë asgjë dhe këtë e di më së miri edhe Masimiliano Alegri. Nuk është rastësi që pas fitores 3-2 ndaj Specias me përmbysje, tekniku u përpoq të ruante ekuilibrat dhe të bënte të qartë se fitorja ishte mirë për momentin, por nuk duhet të harronin përmirësimin, për të cilin kanë shumë nevojë.

juventus

Mbrojtja vazhdon të pësojë gola, mesfusha vuan nga gabime të rënda, por përgjigjet e marra nga De Ligt dhe Kieza, përveç golave, mund të jenë të mjaftueshme për momentin.

DE LIGT E KIEZA – Pikërisht mbrojtësi holandez dhe mesfushori “axurr” ishin dy më të përfolurit e momentit që përfunduan edhe në bankën e të akuzuarve, për shkak të paraqitjeve jo të mira të bardhezinjve. Gjithsesi, Alegri i ka përdorur të dy futbollistët për ta ndihmuar në rritjen e gjithë ekipit dhe të dy u përgjigjën me golat në transfertën e fundit.

Paradoksalisht, De Ligt ashtu si Bonuçi është më mirë në fazën ofensive dhe nuk po bën si duhet në prapavijë, aty ku për 5 javë kanë pësuar 8 gola, gjë që brenda 60 viteve është hera e dytë që përsëritet pas sezonit 2010-2011. Sinjale të vogla domethënëse edhe nga Shezni, jo perfekt në mbyllje, por vendimtar në rastin e Maxhiores. Mirë edhe disa lojtarë të veçantë.

MESFUSHA – Janë mirë edhe disa emra të tjerë të përveçëm, si Ken, por ajo që e shqetëson më së shumti “Kontin Maks”, është mesfusha e cila nuk është sistemuar ende. Mbi të gjithë shqetëson situata e Bentankurit, që po tregon mangësi në fazën ndërtuese dhe në mbajtjen e topit.

juventusi me tifozet

Pak të mjaftueshëm edhe Lokateli e Rabio, që nuk po japin akoma më të mirën e tyre. Në 4- 4-2 e Alegrit në këtë moment qendra ka vështirësi sepse tekniku nuk mund të mbështetet as te Ramsej e as tek Artur dhe do të jetë detyra e Dibalës që të kthehet disa metra pas për të bërë lidhjen mes reparteve, me ndihmën e Kiezës dhe Kuadrados nga krahët.

Me Sampdorian në prag dhe derbin kundër Torinos e më pas ndeshjen me Romën e Interin, duke llogaritur në mes edhe ndeshjet e Champions League, Alegri do të duhet të bëjë një punë kolosale për ta rikthyer Juven në vendet e para të klasifikimit, themelin e së cilës e hodhi me Specian.

PANORAMSPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"