Mesfusha nuk preket, drejtuesit e Teutës mbledhje për piketat e së ardhmes
Te skuadra e Teutës, pritet të ketë zhvillime në ditët në vijim, pasi do të ketë një mbledhje mes presidentit Hasanbelliu dhe zv.presidentit Adrian Bardhi ku do të diskutohet në lidhje me të ardhmen e skuadrës durrsake.
Gjithashtu, trajneri Magani së bashku me drejtuesit do të nisë punën për përzgjedhjen e lojtarëve që do të jenë pjesë e ekipit për sezonin e ri.
Çdo repart ka nevojë për përforcime, ndërkohë që në portë mund të rikthehet portieri Vata, i cili ka qenë pjesë e Laçit dhe ka dhënë garanci.
Gjithsesi, alternativë e mirë mbetet edhe Kastrati. Ndërkohë, në mbrojtje ka gjithashtu nevojë për ndërhyrje, pas largimeve më të fundit.
Sipas të gjitha gjasave, me skuadrën do të shohim sërish Prognin, që në sezonin e sapombyllur ishte një lider i vërtetë. Në mesfushë pritet të rinovojnë edhe Çyrbja, Hila e Tarik.
Ajo që drejtuesit dhe trajneri Magani kërkojnë është një sulmues pykë që të mbajë peshën e skuadrës. Deri në këto momente ka pasur shumë alternativa, por ende nuk ka pasur diçka konkrete.
Megjithatë pritet që zyrtarizimet e para të jenë para datës 15 të këtij muaji. Strategjia e klubit do t’u kushtojë një vëmendje të veçantë të rinjve të akademisë, që do të kenë më shumë hapësira.
Dhe, në fundin e sezonit të kaluar, trajneri Magani ka afruar disa prej tyre në skuadrën që ai drejton.
Jeton Rexhmati
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"