Mesfusha e Teutës si rebus, Martini kërkon fitoren e radhës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 11, 2021 | 21:36

Mesfusha e Teutës si rebus, Martini kërkon fitoren e radhës

Fitorja kundër Apolonisë dhe shkurtimi i distancës me vendin e parë, që tashmë ka shkuar në 7 pikë, sigurisht e mban të qetë ambientin te Teuta. “Djemtë e detit” kanë zhvilluar dje seancën stërvitore të radhës në kuadër të përballjes kundër Skënderbeut. Ajo që ra në sy në stërvitjen e djeshme ishte përkushtimi i madh i futbollistëve, teksa dëshira për rezultat pozitiv është jashtëzakonisht e madhe.

Teuta stervitje

Duhet të jetë dita e Teutës për t’u vijuar me rezultatet pozitive. Kundër Skënderbeut, trajneri Edi Martini dhe stafi teknik kanë zhvilluar sot një seancë tekniko-taktike. Vështirësia është e madhe, e sidomos kur dihet që përballë kanë një kundërshtar që garon për një vend në mes të mirave në Superiore. Megjithatë, skuadra e trajnerit Edi Martini beson se do t’ia dalë edhe kësaj jave me sukses.

“Timonieri” shkodran i Teutës kërkon me çdo kusht tri pikët dhe fakti që do të luajë me një formacion sulmues tregon qartë se këtë herë ndeshjen nuk do t’ia lërë rastësisë. Veç treshes së sulmit, ku varen fatet e ndeshjes, pritet që edhe dy mbrojtësit e krahëve, Kuro dhe Todorovski, të shtyjnë më përpara, duke u bërë furnizues të mirëfilltë për repartin ofensiv.

Krasniqi Teuta logo

Në ndeshjen ndaj korçarëve, përveç dy anësorëve që do të kenë edhe detyra sulmuese, mbrojtja kompletohet me dyshen e qendrës, Hoxha-Arapi. Rikthimi i Avdylit nga pezullimi e shton konkurrencën në ekip dhe përzgjedhja kthehet në një rebus për stafin teknik. Avdyli, Karabeci dhe Aleksi luftojnë për dy vende. Skema mund të ndryshojë nëse E.Vila spostohet në vendin e tij. Në këtë rast, Avdyli, Aleksi dhe E.Vila plotësojnë treshen e mesfushës, ndërsa Bregu, L.Vila dhe Krasniqi pritet të jenë titullarë nga minuta e parë në majën e sulmit.

Karikimi i Martinit – Skuadra nuk ka asnjë mungesë nga 11- shja bazë dhe mund të luajë e qetë për sfidën me Skënderbeun. Para stërvitjes trajneri Edi Martini u kërkoi lojtarëve që të mos mendojnë për ndeshjet e kaluara, por të fokusohen dhe të jenë të përqendruar në maksimum vetëm te dueli i radhës. Sipas trajnerit, fitorja në këtë sfidë është akoma më e rëndësishme, pasi jo vetëm që do t’i jepte më shumë moral ekipit, por edhe do të rikthente qetësinë për vazhdimësinë. Takimi ka pasur si synim që të mobilizojë më tepër grupin e futbollistëve.

Gëzon fakti se të gjithë futbollistët janë në gjendje të mirë dhe nuk kanë lëndime. Në ndeshjen kundër Skënderbeut, Teuta nuk do të ketë në dispozicion vetëm dy lojtarë, Sebino Plakun dhe Denis Pjeshkën, të cilët janë të dëmtuar dhe tashmë po stërviten veçmas për t’u bashkuar me ekipin në ditët në vijim.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"