Mesatarja e golave, Shqipëria pëson më shumë me Panuçin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 5, 2018 | 16:40

Mesatarja e golave, Shqipëria pëson më shumë me Panuçin

Ndryshimi i një trajneri kërkon kohën e mjaftueshme që skuadra të përshtatet me teknikun e ri që vjen në drejtim. Mirëpo, sa herë që ka dy trajnerë të ndryshëm, ka vend për të bërë krahasime mes ecurisë së skuadrës për dy mënyrat e drejtimit.

Shqiperia5-470x316

Kuqezinjtë e De Biazit patën suksesin e madh të arritjes në Europian, ndërkohë që në të ardhmen do të duhet që një arritje e tillë të synohet edhe me Panuçin, me anë të dy kompeticioneve: Liga e Kombeve dhe kualifikueset për europianin “Euro 2020”. Po si vjen skuadra përfaqësuese dhe si është situata e reparteve të kuqezinjve?

MBROJTJA, DRAMË

“Mbrojtja më e mirë është sulmi”, është një filozofi e përdorur në futboll, e cila duket se është përqafuar edhe nga trajneri i Kombëtares, Panuçi, ose të paktën kjo është ajo që ai po përpiqet që ta vërë në zbatim dhe ta bëjë realitet. Por, për të sulmuar, duhet të kesh bazat e forta, që në këtë rast është mesfusha apo mbrojtja.

Dhe kjo e fundit duket që po kalon një nga momentet më të vështira, duke qenë se vetë mbrojtësit nuk po kalojnë momente të mira me skuadrat ku luajnë. E gjithë kjo bën që të mos ofrojnë garancitë e duhura për skuadrën që të mund të sulmojë mirë.

odegard shqiperia

SITUATA

Elseid Hysaj është lojtari që bën përjashtim, jo vetëm me repartin e prapavijës, por edhe me të gjithë pjesën tjetër të skuadrës. Kjo, për vetë vazhdimësinë dhe garancitë që ai ka tashmë të fituara me italianët e Napolit. Po të tjerët? Mërgim Mavraj është i pezulluar nga Hamburg, ekipi i cili është duke luftuar për mbijetesën në Bundesligë. Minuta të pakta dhe vështirë- si në skuadër sigurisht që nuk ndikojnë pozitivisht në ekipin Kombëtar.

Arlind Ajeti, me një minutazh të pakët te Krotone, nuk mund të ofrojë mjaftueshëm garanci, për sa kohë që nuk luan rregullisht. Momentalisht, ai që po kalon një formë të mirë në këtë repart është Ansi Agolli, por trajneri i Kombëtares preferoi që ta lërë jashtë kapitenin e Kombëtares në dy grumbullimet e fundit.

kombetarja

Veseli e Gjimshiti po bëjnë gjithashtu mirë në Itali, me të parin që është lider i Empolit, skuadrës kryesuese në Serinë B. Memolla e Balliu apo edhe risia Lika duket që nuk kanë dhënë garancitë e duhura te trajneri. Ky i fundit zhgënjeu edhe në ndeshjen e fundjavës në Zvicër me Grasshopers. Memolla e Balliu, gjithashtu nuk garantojnë sigurinë e mjaftueshme për prapavijën.

NDRYSHIMET

Shqipëria e De Biazit kishte mbrojtjen si një nga pikat kryesore. Me pesë gola të pësuar në gjashtë ndeshjet e para, mesatarja e golave të pësuar është 0.83 gola për ndeshje. Ndërsa për totalin e ndeshjeve të tij në drejtim, 52 gola në 54 ndeshje, e bëjnë mesataren e golave të pësuar në vetëm 0.9 gola për çdo 90- minutësh. Aktualisht, Shqipëria e Panuçit, në gjashtë sfidat e para, ka pësuar tetë herë dhe në përqindje është 1.3 gola për ndeshje.

Mbrojtesat

Krahas formës dhe situatës jo të mirë që po kalojnë lojtarët e repartit, ndryshimet dhe eksperimentet e shpeshta në skuadër sigurisht që lënë gjurmë në performancë. Më parë, dyshja Mavraj-Cana ishte garanci, jo vetëm për formën e tyre dhe autoritetin në fushë, por edhe për vetë faktin që ata vetë dhe skuadra njiheshin me mënyrën e tyre të lojës. Aktualisht, dëshira për të provuar, bën që Mavraj, Ajeti, Gjimshiti e Veseli, të mos formojnë ende një dyshe stabël.

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"