Mes kantos dhe bisedave me Maldinin, ja karantina e trajnerit të Milanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 30, 2020 | 21:03

Mes kantos dhe bisedave me Maldinin, ja karantina e trajnerit të Milanit

Stefano Pioli ka qenë dje i ftuar në televizionin e klubit për të cilin ka dhënë një intervistë nëpërmjet telefonit. Trajneri ka analizuar momentin që po kalon bota për shkak të “Coronavirusi”-it, por edhe dinamika të tjera me të cilat pret të përballet sapo të ketë përfunduar gjendja e emergjencës që ka kapluar vendin fqinj.

Pioli.Milan.urla.2019.20.750x450

Si e gjykoni aktualitetin dhe çfarë ju mungon nga përditshmëria?

Më mungon gjithçka. Ka 30-40 vjet që jam pjesë e këtij ambienti e nuk po e kam të lehtë. Mundohem të mbush ditët me libra, muzikë dhe ushtrime fizike. Jam munduar të këndoj, por familja ime mendon që stonoj e nuk më lejojnë.

Pra aspak futboll siç u tha pak ditë më parë nëpër media?

Jam natyrë kureshtare dhe notoj në informacion gjatë gjithë ditës. Pjesën tjetër të kohës e kaloj duke komunikuar me bashkëpunëtorët e mi, me drejtuesit e Milanit dhe lojtarët. Të gjithë po vuajnë në mënyra të ndryshme ndaj uroj që e gjitha kjo të marrë fund sa më shpejt.

Thatë se komunikoni me të gjithë. Çfarë ju ka thënë Maldini?

E dija që nuk ishte mirë me shëndet, por kujtoja se ishte grip. Siç thashë, flasim çdo ditë dhe në këtë rast u tregua kampion edhe një herë duke përballuar virusin me vendosmëri të madhe së bashku me djalin e tij, Danielin. Më vjen mirë që përmirësohen dita ditës.

Çfarë raporti keni me trajnerin e femrave të Milanit, Mauricio Ganz?

E kam pasur nën urdhrat e mia te Modena. Ishtë në fundin e karrierës, por cilësitë i kishte më të larta se kushdo tjetër. Mbase priste të luanë më shumë, por sidoqoftë ishte shumë i rëndësishëm për ekipin. Pas ndeshjeve ndalonte të stërvitej me portierin. O shënonte, o ia priste, por Maurcio nuk e dërgonte kurrë jashtë topin.

Bota e futbollit po tregon solidaritet të madh me mjekët…

Ka shumë rëndësi ndihma e të gjithëve e nuk po flas vetëm për atë ekonomike. Duhet të tregohemi skuadër e të ndihmojmë sa më shumë për të dalë nga kjo situatë e tmerrshme. Në ambientin e Serisë A ka shumë të privilegjuar, ndaj na takon ne të parëve të japim shembullin dhe ndihmën tonë në çdo mënyrë që mundemi.

Sa rëndësi ka të qëndruarit e izoluar në shtëpi?

Jashtë mase shumë. Vetëkarantinimi shërben për të shpëtuar jetë dhe i ftoj të gjithë të vijojmë në këtë drejtim. Kush nuk është i detyruar të dalë duhet ta konsiderojë veten me fat për kohën e madhe që mund të kalojë me familjen. Kjo është një provë përgjegjshmërie dhe qytetarie, ndaj duhet shumë kujdes nga ana e të gjithëve.

PËRGATITI: REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"