Mes kampionatit e Kupës, Laçi në 180 minuta delikate

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 29, 2018 | 18:54

Mes kampionatit e Kupës, Laçi në 180 minuta delikate

Kalendari i ka rezervuar skuadrës së Laçit një ndeshje mjaft të vështirë këtë fundjavë. Kurbinasit do të jenë të shtunën në stadiumin “Niko Dovana”, ku përballë Teutës vendëse do të synojnë të marrin të paktën një barazim dhe të vazhdojnë të jenë në ndjekje të Kukësit për vendin e dytë të renditje. Por, një gjë e tillë nuk do të jetë aspak e lehtë, duke qenë se trajneri Mezani nuk do të ketë në portë kapitenin Selmani të dëmtuar.

goli i lacit

Ndërkohë që një humbje do t’u jepte mundësinë kundërshtarëve të kurbinasve që t’u afroheshin edhe më shumë në klasifikim. Por, ditët e ardhshme do të jenë vendimtare për Laçin, pasi përveç takimit ndaj Teutës, ata do të luajnë edhe ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë.

Në 5 prill, kurbinasit luajnë ndaj Kukësit në shtëpi në kompeticionin e dytë më të rëndësishëm në vend. Laçi e njeh mirë Kupën, pasi ka arritur ta fitojë në vitet e fundit dhe kërkon të bëjë të njëjtën gjë edhe në këtë sezon për të siguruar pjesëmarrjen në Europë, gjë e cila natyrisht që nuk do të jetë e lehtë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"