Mes dilemave në mesfushë dhe terapive psikologjike, Kukësi luan sezonin kundër Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 5, 2023 | 15:26

Mes dilemave në mesfushë dhe terapive psikologjike, Kukësi luan sezonin kundër Partizanit

Kukësi shpreson që të bëjë kthesën me Partizanin këtë të shtunë, në ndeshjen që mund të vendosë jo pak për ecurinë e verilindorëve në kampionat. Rezultatet e fundit negative kanë bërë që verilindorët të mos i lejojnë më vetes asnjë hap fals, për aq kohë sa vijojnë të jenë në zonën e ftohtë dhe aktualisht në vendin e tetë që i dërgon në “play out”.

kukesi

Gjithsesi, një fitore do të kthente situatën në favor të tyre, ndaj në kampin kuksian i kanë dhënë vlerësimin e duhur kësaj sfide, me shpresën se do të marrin maksimumin e mundshëm në kryeqytet.

Një trepikësh përballë të kuqve do të bënte të harroheshin të gjitha rezultatet negative të këtyre javëve të fundit.

PA “BUSULL” – Situata sigurisht nuk është ndër më të mirat te blutë, e cila duket se ka humbur busullën pikërisht në momentin më vendimtar të sezonit. Hallaçi duhet të gjejë çelësin për të rikthyer ekipin te rezultatet e duhura dhe ta rifusë në shinat e duhura.

Edhe pse gjatë gjithë këtyre sfidave të fundit tekniku është munduar të bëjë shpesh edhe lëvizje te titullarët, madje duke ulur disa prej tyre në stol, sërish nuk ka shkuar dot te fitorja.

Gjatë javës tekniku është marrë shumë me mënyrat se si mund të luajnë ndaj të kuqve, teksa vijon të mbetet i pavendosur për titullarët që do të hedhë në fushë.

Dyshimet më të mëdha mbeten në mesin e fushës, aty ku në fakt ka më shumë alternativa në dispozicion dhe ka mundësi zgjedhjeje. Mbetet për t’u parë rreshtimi dhe titullarët që do të hidhen në fushë, teksa e gjitha do të vendoset në seancën e fundit stërvitore.

ANA PSIKOLOGJIKE – Në klub e kanë të qartë se problemi i Kukësit është më së shumti psikologjik, sepse është po e njëjta skuadër dhe po të njëjtët lojtarë që nën drejtimin e Hallaçit në fillim të këtij viti, morën rezultate shumë të mira, duke pretenduar madje edhe Europën.

Për këtë arsye, duke njohur cilësitë e lojtarëve në fushë, Hallaçi është marrë shumë edhe me anën psikologjike të lojtarëve, duke u shprehur besimin se i kanë të gjitha mundësitë për të kaluar jo vetëm Partizanin, por edhe për të mbyllur ashtu siç duhet këtë kampionat.

Ky ngërç psikologjik ka privuar edhe futbollistët të tregojnë më të mirën e tyre, ndaj “terapitë” shpresohet të japin efekt që në ndeshjen e nesërme. Kujtojmë që në fazën e tretë Kukësi e mundi 1-0 Partizanin, teksa vendosi një gol i kapitenit Gjelbrim Taipi në minutën e 22-të.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"