Merxha nuk ka dilema, në Elbasan “fiksohen” titullarët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 8, 2018 | 20:57

Merxha nuk ka dilema, në Elbasan “fiksohen” titullarët

Elbasani nuk i humb shpresat për merka ton. Klubi po bën çmos që të sigurojë edhe ndonjë afrim cilësor, e megjithatë deri dje nuk ka pasur surpriza. Gjithsesi, drejtuesit kanë gati planin “B” nëse situata nuk ndryshon. Pa afrime të tjera, do të jenë të detyruar që të bëjnë maksimumin me futbollistët që kanë në organikë, paçka se grupi që militojnë është realisht i egër.

safe_image

Numri i lojtarëve që trajneri Eriol Merxha ka në dispozicion duhet thënë që nuk është shumë i madh dhe mbi të gjitha mungojnë alternativat për të përballuar një kampionat të gjatë dhe të vështirë. Megjithatë, edhe me këtë kontingjentin do të synohet maksimumi, duke filluar nga Orikumi.

FORMACIONI

Pritet të mos ketë shumë dilema për sa i përket formacionit. Në pjesën më të madhe të ndeshjeve të këtij sezoni, pak a shumë, do të zbresë i njëjti ekip që është parë në miqësore, ashtu edhe në ndeshjen e Kupës përballë Orikumit. Kështu, porta pritet t’i besohet Hasfatisë, ndërsa mbrojtja do të jetë e rreshtuar me katër. Në të majtë Hoxhaj, Duka me Dishanin në qendër, ndërsa në të djathtë Mici.

Në mesin e fushës priten J. Lleshi dhe A. Lleshi në qendër, ndërsa nga krahët Ukaj nga e majta dhe Balla nga e djathta. Përpara sulmuesit të vetëm Ezike pritet të luajë Brahimaj, me një skemë 4-2-3-1. Megjithatë, në dispozicion ka të tjerë lojtarë si Ferhati, Suvarija, Beqiri, Fejzaj, Çangu, apo vëllezërit Bajrami, të cilët mund të alternohen me lojtarët e tjerë që për momentin janë në formacion.

Elbasani

Ajo që bie në sy ka të bëjë me faktin se në krahasim me sezonin e kaluar, pritet të jenë në 11-she pesë lojtarë të rinj, të cilët kanë ardhur nga prurjet e merkatos së verës. Prova e parë e vërtetë e verdhebluve do të jetë nesër në Orikum, ku shpresojnë të dalin me tri pikët e para në kampionat.

OBJEKTIVI

Elbasani këtë sezon ka hyrë me objektiva të mëdha, pasi do të synojë me çdo kusht ngjitjen në Kategorinë Superiore. Edhe pse merkatoja aktuale nuk u jep shumë shpresë, sepse bëhet fjalë për lojtarë në moshë të re, në klub mendojnë se mund t’ia dalin edhe kështu. Një lajm i mirë për lojtarët vjen nga klubi. Situata financiare duket shumë herë më premtuese dhe ky fakt mund t’u japë edhe më shumë moral verdhebluve për të realizuar misionin final.

Drejtuesit duket se i kanë gjetur mundësitë për të përballuar ekonomikisht këtë sezon. Dhe sinjalet pozitive u dhanë vetëm disa ditë më parë, kur klubi likuidoi rrogën e parë. Kjo lëvizje e klubit vjen për motivuar për ndeshjen e nesërme ndaj Orikumit. Një trepikësh në këtë transfertë do të rriste së tepërmi optimizmin në kampin verdheblu për realizimin e objektivave.

VLADIMIR MEMA 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"