Merveil: Do mbaj mend shumë gjëra nga Tirana, shpresoj të fitoj trofe në Spanjë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 12, 2017 | 23:10

Merveil: Do mbaj mend shumë gjëra nga Tirana, shpresoj të fitoj trofe në Spanjë

Erdhi për të bërë diferencën dhe ia doli që të katapultohet në një nga katër kampionatet më të forta në botë. Merveil ka mbyllur më së miri aventurën e tij me Tiranën, duke ia dalë që të sigurojë një transferim në Spanjë me Getafe, ku përveç prestigjit, do të ketë mundësi për të përfituar një pagë të 10-fishuar.

Mirel Josa dhe Merveill

Dje, ndërkohë që skuadra bardheblu ka qenë duke kryer seancën e radhës stërvitore, kongolezi është paraqitur në kompleksin stërvitor për të ndjekur nga afër ata që ai i quan miqtë e tij. Në një intervistë ekskluzivisht për “Panorama Sport”, Merveil tregon shkurt aventurën e tij në Shqipëri dhe ndjesinë për Spanjën.

Si ishte aventura me Tiranën?

Si çdo sezon që ka të mirat dhe të këqijat e veta. Ishte një moment kur mendonim se po shkonte gjithçka siç duhet, por në atë fazë gjërat morën për keq. Më vjen keq që skuadra ra.

Çfarë do kujtoni nga Tirana?

Do kem shumë për të kujtuar. Fillimisht do kujtoj faktin që e gjithë kjo aventurë me Tiranën më shërbeu që të kem një shans për të luajtur në Spanjë. Do kujtoj ambientin që ka rrethuar ekipin. Më tej lojtarët, të cilët tashmë janë miqtë e mi, stafin, mjekun tim Arzenin që është marrë shumë me mua gjatë kësaj periudhe, sidomos që më është gjendur pranë në momentet e vështira. Nuk dua të harroj as tifozët, të cilët na kanë mbështetur jashtëzakonisht shumë në fillimet e mia te kjo skuadër.

Në të gjithë botën flitet për duelin Mesi-Ronaldo. Kë preferoni?

Sigurisht që Mesin (qesh). Jam fans i tij.

Çfarë do të thotë për ju transferimi në Spanjë?

Për mua, në radhë të parë do të jetë nder që të marr pjesë në atë kampionat, duke ditur që është një nga ligat e lojtarëve më të mëdhenj në botë. Është kënaqësi e madhe që do të jem atje dhe po e pres me padurim. Gjithashtu, do të jetë përgjegjësi e madhe.

Çfarë synimesh personale keni?

Që të luaj sa më shumë ndeshje dhe të arrij të fitoj një vend në skuadër. Jo vetëm kaq, por kryesore është që të bëj më të mirën time dhe të jap maksimumin në çdo sekondë që do të jem me atë ekip. Pse jo, do ishte mirë nëse do të fitoja trofe.

Do riktheheni ndonjëherë në Shqipëri, qoftë edhe për pushime?

Ka shumë gjëra që më bëjnë të kthehem. Kryesorja janë miqtë që kam krijuar. Tashmë e njoh vendin, ndaj pse jo. Një ditë mund të rikthehem…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"