Mersini: E kemi nisur shumë mirë, ndaj Luftëtarit do të jetë emocionuese

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 27, 2017 | 11:29

Mersini: E kemi nisur shumë mirë, ndaj Luftëtarit do të jetë emocionuese

Flamurtari do të presë sot, në orën 15:30, në Pyllin e Sodës Dinamon. Fitorja 2-0 i jep deri diku qetësi, megjithatë trajneri ka menduar që në fushë të hedhë një formacion miks, me titullarë dhe lojtarë stoli. Ergis Mersini është i bindur se Flamurtari e ka nisur mbarë këtë sezon. 6 pikë në dy ndeshje, sipas gjirokastritit, flasin për traditën dhe emrin e klubit vlonjat. Në një prononcim të dhënë dje për mediat, mbrojtësi i majtë shprehet se kuqezinjtë e kanë nisur mbarë sezonin.

mersini

“Nuk besoj se Flamurtari është surprizë me marrjen e këtyre 6 pikëve në këto dy ndeshje. Kjo për vetë historinë, për vetë klubin, gjithçka që përfaqëson stema e Flamurtarit dhe qyteti i Vlorës.

Besoj se këto janë 6 pikë shumë të mira, duke konsideruar edhe kampionatin që kemi patur në tri javët e para, ku në ndeshjen e parë luajtëm në Korçë dhe ku dihet forca që përfaqëson Skënderbeu që është edhe në Europa Ligë. Besoj se këto 6 pikë janë një start shumë i mirë dhe një ogur shumë i mirë për një sezon më të mirë”, shprehet fillimisht Mersini.

LUFTËTARI

Mbrojtësi deklaron se nga ndeshja me Luftëtarin pret vetëm tri pikët. E ndërsa shpreh konsiderata të larta për ish-ekipin e tij, që ka ruajtur pjesën më të madhe të grupit, Mersini shpreson që të luhet në Vlorë për ta patur edhe më të lehtë fitoren.

“Ekipi i Luftëtarit ku unë kam qenë pjesë e tij është një ekip i konsoliduar ku ka ruajtur 90% të grupit. Është një ekip i bukur për t’u parë ku ka zhvilluar një kampionat shumë të mirë vjet dhe është një ekip shumë i vështirë, duke pasur parasysh që ne akoma nuk e dimë ku mund të luajmë në Vlorë, apo jo. Por, shpresoj që të luajmë në Vlorë që edhe ambienti të jetë në favorin tonë dhe ta fitojmë këtë ndeshje. Unë kam besim se këtë takim do ta kalojmë me sukses të plotë”, u shpreh mbrojtësi.

EMOCIONET

Ergis Mersini do të luajë të shtunën kundër ekipit të tij, por edhe kundër qytetit të tij. Mbrojtësi e shikon shumë emocionues këtë fakt. Pavarësisht polemikave që ka patur me largimin nga Luftëtari, ai thotë se ky do të jetë një duel special për të.

“Më shumë se përveç atyre polemikave që ishin të çastit, dua të them se është një ndeshje shumë speciale për mua. Të luash kundër qytetit tënd është diçka e bukur, por edhe emocionuese. Unë besoj se do t’ia kaloj mirë, pse jo edhe duke fituar besoj”, tha Mersini.

E ndërsa në fundjavë përballë Flamurtarit do të jenë edhe ish-lojtarët e tij Bregu, Zeqaj dhe Beqiri, lojtari gjirokastrit mendon se në fushë do fitojë dyshja Liçaj-Mersini. “Besoj se do të fitojnë Liçaj-Mersini këtë javë”, përfundon mbrojtësi.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"