“Merrnin 600 mijë në stol”, Gjyla, kunj të ikurve: Defekti im, s’mbaj më lojtarë që ecin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 26, 2020 | 23:45

“Merrnin 600 mijë në stol”, Gjyla, kunj të ikurve: Defekti im, s’mbaj më lojtarë që ecin

Edhe për sezonin 2020-2021, që e gjen sërish në Kategorinë e Parë, Lushnja do ketë të njëjtin trajtim financiar. Skuadrës i është garantuar faza përgatitore dhe stafi teknik po vijon punën për konfigurimin e Lushnjës, nga e cila ka pasur shumë largime. “Panorama Sport” ka kontaktuar me trajnerin Ilir Gjyla, i cili së pari flet për garancinë financiare:

gjyla

“Po bëhemi gati dhe dua të them se kemi pasur një takim me kryetarin e bashkisë, z.Fatos Tushe, i cili është presidenti i klubit, dhe drejtues të tjerë. Ne si staf kemi qenë në bashki dhe kemi marrë miratimin se Lushnja do vazhdojë po me ato paga që kishte sezonin e fundit.

Po ashtu, kemi marrë miratimin që edhe pagat 150 mijë lekë që kanë mbetur nga muaji korrik do të merren në shtator, sepse ka një limit për çdo ndërmarrjeje shtetërore. Të gjithë futbollistët që kanë firmosur kontratat, do t’i marrin këto paga. Kjo është pozitive, ashtu sikurse është tenderuar edhe shuma prej 30 milionë lekësh (të vjetër) për dy fazat përgatitore”.

SKUADRA

Më tej trajneri Gjyla kalon te ndërtimi i skuadrës. “Po marrim futbollistë, po provohen dhe po largohen. Kemi telefonata akoma dhe duhet të bëjmë skuadrën që të nisemi për fazë përgatitore. Për të qenë i sinqertë, puna  për konfigurimin e skuadrës nuk na ka shkuar mirë. Kemi pasur afrime, por nuk na janë përshtatur.

I falënderoj ata që na sjellin futbollistë, por Lushnja kërkon futbollistë që të përballojnë kampionatin, nuk kërkon futbollistë për t’u bërë futbollistë. Po të ishte kështu, kemi futbollistët tanë të rinj. Ne do të vazhdojmë edhe me të rinjtë, me ata që kemi.

Jam trajneri që për çdo vit kam afruar dy futbollistë të rinj në skuadër. Kam dy sezone që drejtoj Lushnjën dhe për dy vjet kam afruar katër futbollistë të rinj, Ademin, Korreshin, Endi Gjylën dhe Dedejn. Po i shikojmë edhe sivjet. Jam i sinqertë dhe them se nuk na ngroh asnjë nga të rinjtë, për këtë nuk jam fare i lumtur. Jemi të detyruar të bëjmë merkato, por jo se nuk do të marrim asnjë nga të rinjtë”, shprehet Gjyla.

THUMBA TË LARGUARVE

Nga edicioni i kaluar Lushnja numëron 14 largime. Kontratat e futbollistëve me klubin myzeqar janë sezonale dhe çdo verë gjithçka nis nga e para, por këtë herë situata është ndryshe, sepse shumë titullarë lanë Lushnjën për Tomorin. “Pse erdhën kaq shumë largime? Nuk mund ta përcaktoj dot. Edhe pse dikush kërkon të më bëjë faktor, nuk kam asnjë lidhje me këto largime. Të gjithë futbollistët që janë larguar, kanë qenë nën kontratë me Lushnjën deri më 31 korrik dhe pas përfundimit të kontratës gjithsecili është mbi këmbët e veta dhe në kokën e vet.

gjyla

Dikush ka kokën e vogël, dikush ka kokën e madhe, është punë e tyre. Absolutisht, është zgjedhja e çdo njeriu dhe unë thjesht dua që të mos abuzohet. Shikoj punën dhe vetëm punën, ndaj them se është një fryrje artificiale. As i gjykoj dhe as i paragjykoj ata që kanë ikur, të gjitha fjalët që fliten rrugëve janë gënjeshtra. Do t’i vinte momenti, do t’i vinte fundi çdo futbollisti. Nuk mund të mbajmë futbollistë që ecin në fushë, nuk do t’i them emrat, por i kemi mbajtur dy vjet. E keqja ime, që ndoshta po flitet në një qark skeptikësh, është se kam mbajtur futbollistë me nga 600 mijë lekë.

Mezini apo Musaku e filluan kontratën me 300 mijë lekë dhe kaq e përfunduan, kurse lojtarët e tjerë që rrinin në stol merrnin nga 600 mijë lekë. Ky është defekti im, megjithatë nuk i gjykoj për të ardhmen e tyre. Çdo njeri bën zgjedhjen e vet dhe nuk dua që të paragjykojnë as mua”, është shprehur në fund trajneri Gjyla, duke lënë të kuptohet se ka një qejfmbetje me ata që kanë ikur nga skuadra për të luajtur në Berat sezonin e ri.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"