Merr fund “Odiseja” e largimit, Elbasanit i hapin dyert e “shtëpisë” pas 347 ditësh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 25, 2018 | 11:09

Merr fund “Odiseja” e largimit, Elbasanit i hapin dyert e “shtëpisë” pas 347 ditësh

Elbasani kthehet në “shtëpi” pas 347 ditësh. Ndeshja me Tepelenën e programuar për t’u zhvilluar këtë fundjavë do të luhet në “Elbasan Arena” dhe jo në kompleksin “Shefqet Lamçja”. Edhe pse nuk është konfirmuar ende zyrtarisht, gjasat janë që kështu të ndodhë. Duke qenë se verdheblutë janë shumë pranë ngjitjes në Kategorinë e Parë, presin ta festojnë ngjitjen pikërisht në stadium, aty ku nuk shkelin prej afro një viti.

elbasan-arena-03

Pas Tepelenës, elbasanasit do të luajnë edhe ndeshjen e fundit të kampionatit, atë me Maliqin, ku shpresojnë të zyrtarizojnë edhe matematikisht ngjitjen një kategori më lart. Përballja e fundit që kanë luajtur në këtë impiant ka qenë më 7 maj të 2017- ës përballë Dinamos, ku edhe dolën barazim 1-1. Me rënien në Kategorinë e Dytë, verdheblutë u “zbuan” nga “Elbasan Arena”, duke u detyruar që t’i zhvillojnë ndeshjet në kompleksin ku kryejnë stërvitje.

Megjithatë, me ngjitjen e elbasanasve në Kategorinë e Parë mbyllet edhe historia e stadiumit, pasi normalisht do të luajnë në impiantin modern sezonin e ardhshëm.

Ironia e fatit – Të kesh një impiant modern dhe të mos luash dot. Ka qenë ky rasti i Elbasanit, jo vetëm për këtë sezon që nuk ka zhvilluar asnjë ndeshje, por edhe në të kaluarën. “Elbasan Arena” ka qenë një “mollë e ndaluar” për të zotët e shtëpisë, pasi është detyruar që të hapë dyert për Kombëtaren, Partizanin, Kukësin dhe Skënderbeun për Kupat e Europës.

elbasan-arena-aerial-view

Duke pasur një mbingarkesë në javë të veçanta, Elbasani detyrohej të luante në stadiume të tjera. Gjithsesi, shpresohet që sezonin tjetër të mos vazhdojë më “Odiseja” e largimit nga stadiumi.

Rezultatet – Përpos faktit që janë dëbuar shpeshherë nga stadiumi, që me rindërtimin e tij Elbasani nuk ka pasur rezultate të mira dhe stadiumi nuk i ka sjellë aspak fat.

Kur u rindërtua në 2014-ën verdheblutë ishin pjesë e Superiores, por atë sezon ranë në Kategorinë e Parë. Më pas, një sezon në këtë kategori ku mbijetoi javën e fundit dhe më pas vitin tjetër ranë në Kategorinë e Dytë. Pra, impianti nuk u ka sjellë fat, për sa u përket rezultateve, edhe pse problemi nuk qëndronte te stadiumi, por te skuadra.

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"