Merr fund makthi, Tirana akord me Muzakën. Ish-mesfushorit i kalojnë 35 milionë lekë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 20, 2018 | 20:42

Merr fund makthi, Tirana akord me Muzakën. Ish-mesfushorit i kalojnë 35 milionë lekë

Merr fund makthi për Tiranën. Klubi ka zyrtarizuar marrëveshjen me Gjergji Muzakën dhe pikërisht dje ka filluar shlyerja e borxhit. Në llogarinë e lojtarit janë depozituar afro 35.6 milionë lekë të vjetër, ashtu sikundër ishte rënë dakord. Detyrimi, që shkon në 107 milionë lekë, do të mbyllet me tre këste të barabarta.
Halili-Muzaka

Kryeqytetasit pranuan propozimin e bërë prej kohësh prej ish-mesfushorit, i cili pranoi që borxhi të ndahej me pjesë. Duke qenë se kësti i parë u likuidua pikërisht të martën, tashmë bardhebluve nuk u mbetet që tjetër veçse të japin edhe dy “hise” të tjera. Sipas kontratës së firmosur, dy pjesët e tjera të ndara me nga 35.6 milionë lekë (të vjetër gjithnjë) do të jepen deri në fund të këtij viti kalendarik.

Pra, që të shmangen pasoja të tjera, klubi duhet që të zerojë deri në muajin dhjetor një prej çështjeve më shqetësuese të muajve të fundit. Në këtë formë, klubi eviton “dramën”. Nëse nuk do të niste likuidimin, rrezikoheshin jo vetëm 3 pikë të tjera nga renditja e sezonit që sapo kaloi, por edhe misioni “Superiore”. Komisioni i Disiplinës nuk mund të shmangte më ekzekutimin e vendimit, ndaj nga momenti në moment pritej që të njoftohej masa e radhës për Tiranën.

Muzaka

Përtej stërzgjatjeve, palët më në fund kanë gjetur dakordësinë dhe këtë herë me shkrim e vulë. Ky lajm i jep më fund qetësinë jo vetëm klubit. Bardhebluve, me mbylljen e kësaj historie, u lind zyrtarisht e drejta që të mendojnë për nderimin e një ekipi pretendent për elitën. Megjithatë, Tiranës i mbetet për detyrë që të tregohet korrekte me respektimin e marrëveshjes. Sipas afateve të vendosura në kontratë, ata duhet të shlyejë edhe këstet e tjera të borxhit. Edhe FSHF-ja është qetësuar, pasi edhe mbi të, si ndërmjetësuese, po shtohej ndjeshëm presioni.

SHKRIMIN E PLOTË E LEXONI NË VERSIONIN PRINT TË GAZETËS “PANORAMA SPORT”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"