Merkatoja mbetet e bllokuar/ Flamurtari në hall të madh për portën, Moçka drejt “divorcit”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 31, 2020 | 10:20

Merkatoja mbetet e bllokuar/ Flamurtari në hall të madh për portën, Moçka drejt “divorcit”

Shpëtim Moçka bëhet çështje te Flamurtari. Portieri nuk stërvitet prej disa ditësh me ekipin, duke shtuar shanset e një “divorci”. Që prej miqësores me Orikun ai nuk luan, ndonëse e ndoqi ndeshjen si spektator. Nuk dihen shkaqet e kësaj mungese, por gazeta mëson se nuk bëhet fjalë për ndonjë dëmtim apo arsye shëndetësore.

Flamurtari Mocka

Kjo gjë mbetet e paqartë, ndërsa pritet për të parë se çfarë do të ndodhë në orët në vijim. Përballja e së dielës me Dinamon për llogari të Kupës së Shqipërisë, do të zbardh edhe këtë dilemë. Shenjat flasin për një largim të 31- vjeçarit dhe nëse ndodh kështu, atëherë stafi teknik do të ketë një hall vërtet të madh për katërkëndorin.

FEDERIMET

Në prag të fillimit të sezonit të ri futbollistik, te Flamurtari nuk ka halle borxhesh. Veç shumës prej 230 milionë lekësh të vjetër për ushqimin, ka “drithërima” edhe për federimet. Katër lojtarë, drejtues të klubit, por edhe stafi teknik janë me “sytë” nga FIFA. Burime pranë FSHF-së bëjnë me dije për “Panorama Sport” se ende nuk është hapur sistemi për të regjistruar Tarik Çmajçanin, Burak Mengën, Alvi Ahmetajn dhe Stiven Pucin. Serbi, maqedonasi dhe dy gjirokastritët me shumë mundësi nuk do të aktivizohen në ndeshjen e parë që luhet nesër kundër Dinamos (për Kupë).

flamurtari

Futbollistët e ardhur si përforcime gjatë kësaj merkatoje vere kanë depozituar në klub të gjithë dokumentacionin përkatës, megjithatë ende nuk mund të quhen zyrtarisht të Flamurtarit. Vetë klubi i ka dorëzuar në FSHF, por sistemi i bllokuar nuk lejon ende federimin e tyre. Burime pranë klubit pohojnë ekzistencën e një çështjeje të tillë, por janë me shpresën se zgjidhja do të vijë shumë shpejt dhe lojtarët do të federohen. Madje, drejtues të klubit shpresojnë që sistemi të hapet deri të dielën ose, në rastin më të keq, të mërkurën, kur do të luhet edhe java e parë e Kategorisë së Parë dhe Flamurtari do të presë ekipin e Tërbunit në shtëpi.

BORXHI

Flamurtarit i janë bllokuar federimet për shkak të borxheve për dy lojtarë nga sezonet e shkuara. Megjithatë, klubi pretendon se me lojtarët ka arritur marrëveshjen dhe detyrimet do të paguhen me këste, por vonesat lidhen me çështje që nuk kanë të bëjnë me klubin. Madje, në një prononcim të disa ditëve më parë, ishte trajneri Dritan Resuli që këmbëngulte se kjo histori nuk ekziston. “Nuk e kuptoj ku qëndron bllokimi i merkatos, kur ne përforcohemi.

RESULI

Deri tani na kanë ardhur 4 lojtarë të rinj dhe jo vetëm po stërviten, por janë aktivizuar edhe në miqësore. Nëse do të kishim probleme me regjistrimin e tyre, atëherë nuk kishim pse të hynim fare në bisedime. Jemi në pritje të disa elementëve të tjerë për ta përforcuar më shumë organikën për sezonin 2020-2021. Ju siguroj se Flamurtari nuk ka asnjë çështje që të lidhet me bllokim të merkatos”, pati deklaruar Resuli.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"