Merkatoja e Skënderbeut/ Vjen sulmuesi i Empolit, në provë edhe një mbrojtës nga kampionati suedez

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 24, 2020 | 16:34

Merkatoja e Skënderbeut/ Vjen sulmuesi i Empolit, në provë edhe një mbrojtës nga kampionati suedez

Skënderbeu gjen sulmuesin që do t’i japë një cilësi sulmit për sezonin e ri. Korçarët, tashmë me një politikë të re në merkato të kushtëzuar nga situata financiare, janë vënë në kërkim të talenteve me qëllim përfitimin nga shitja e tyre në të ardhmen.

DENIS ZEFI

I tillë është rasti i 19-vjeçarit shqiptar Denis Zefi, i cili është në pronësi të klubit italian, Empoli, që militon në Serinë B. Klubi korçar ka bërë një marrëveshje me italianët për Zefin, në atë mënyrë që në fund të përfitojnë të gjitha palët.

Në rast se lojtari pas aktivizimit në sezonin e tij të parë te korçarët merr një ofertë të mirë për t’u shitur, atëherë Skënderbeu dhe Empoli do të ndajnë përfitimin 50 me 50. Zefi ka firmosur dje me Skënderbeun një kontratë 1-vjeçare me opsion rinovimi, ndërsa “operacioni” është mbyllur falë bashkëpunimit mes dy klubeve të agjentëve shqiptarë Serxhio Mezi dhe Tami Kona. Sulmuesi ka lindur dhe është formuar si futbollist në Itali, ndërsa është grumbulluar disa herë me Kombëtaren U-17 dhe U-19 të Shqipërisë, duke luajtur për secilin ekip nga një ndeshje zyrtare.

ZEFI 1

Zefi është një sulmues tipik, i cili në këto katër vitet e fundit ka luajtur për grup-moshat e Empolit, Pizës dhe Livornos. Lojtari do të nisë sot stërvitjen me bardhekuqtë, duke shtuar kështu konkurrencën në sulm.

SHALA – Një mbrojtës kosovar nga Suedia për Skënderbeun. 23- vjeçari Mërgim Shala i është bashkuar ekipit korçar së fundmi, ndërsa është aktivizuar edhe në miqësoren e djeshme ndaj Besës.

56873_512

Bëhet fjalë për një qendërmbrojtës që ka luajtur së fundmi në Ligën e Dytë suedeze me Asyriskan. Më parë është aktivizuar edhe për ekipe si Norrby, Husqvarna dhe Odevold. Shala do të shikohet nga Ahmataj dhe më pas klubi do të vendosë përfundimisht nëse do t’i ofrojë kontratë.

LL.SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"