Merkatoja e Partizanit, ja operacionet që nuk u konkretizuan

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 9, 2021 | 10:00

Merkatoja e Partizanit, ja operacionet që nuk u konkretizuan

Me hapjen e merkatos së verës, emrat që qarkullonin në treg për t’iu bashkuar Partizanit, ishin të shumtë. Gjatë tre muajve të merkatos, Partizani afroi plot 18 futbollistë, nga Musta që ishte transferimi i parë, deri te Filipoviç që u zyrtarizua ditën e djeshme.

PARTIZANI

Edhe pse janë afruar shumë futbollistë, gjërat nuk janë konkretizuar, për arsye të ndryshme. Fillimisht u përfol për një afrim të Eni Imamit, por mbrojtësi firmosi për Dinamon më pas. Më tej, emrat e përfolur ishin të mesfushorit Sabien Lilaj e të mbrojtësit Gledi Mici, por asgjë nuk u konkretizua.

Në bisedime me Partizanin ishin edhe dy futbollistët e rinj, Andi Hadroj dhe Bekim Dida, por i pari ishte në kontratë me Bylisin, ndërsa Dida gjeti akordin me Kastriotin. Zhurmë të madhe bëri pa diskutim emri i Migjen Bashës, ish-mesfushorit të Kombëtares.

Gjithçka ishte pothuajse e mbyllur dhe Basha priste vetëm të firmoste kontratën, por drejtuesit e Partizanit vendosën të ndërprisnin bisedimet. Të kuqtë ishin pranë firmës edhe me dy talentet e Apolonisë, Redon Mihana dhe Mario Gjata, por pas më shumë se një muaji bisedimesh, nuk u gjet gjuha e përbashkët mes palëve dhe dy sulmuesit u transferuan tek ekipi tjetër i kryeqytetit, Dinamo.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"