Merkatoja e hapur, pesë lojtarë në provë për Pogradecin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 27, 2019 | 18:23

Merkatoja e hapur, pesë lojtarë në provë për Pogradecin

Pogradecarët kanë disa ditë që kanë nisur fazën përgatitore, ku stafi teknik po punon me një kontingjent të konsiderueshëm futbollistësh.

Fetollari

Gati i gjithë grupi i sezonit të kaluar ka qëndruar, ndërkohë që janë kthyer dy lojtarë vendës, Shyti dhe Çekiçi. Drejtuesit e klubit pogradecar dhe stafi teknik vazhdojnë të bëjnë punën e tyre në lidhje me merkaton, duke synuar afrimin e disa lojtarëve me kualitet.

Konfirmimin e jep vetë trajneri Festim Fetollari, i cili thotë: “Po punojmë në disa aspekte dhe për momentin jashtë vëmendjes sonë nuk ngelet merkatoja. Nesër (sot) do të kemi pranë ekipit disa futbollistë në provë. Bëhet fjalë për pesë lojtarë, të cilët do të jenë nën vëzhgimin tonë si staf, edhe pse ata kanë luajtur sezonin e kaluar në Superligë dhe në Kategorinë e Parë. Emrat nuk mund t’i them në këtë moment”.

Sulmuesi Branica është një nga lojtarët e kërkuar nga trajneri Fetollari dhe me peqinasin ka pasur kontakte, por për të ka interesim edhe nga klube të tjera dhe gjithçka ka mbetur pezull. Drejtuesit e ekipit liqenor po shohin mundësi të tjera dhe emrat e parë priten të zbulohen që sot. Pogradeci e zhvillon fazën përgatitore në qytetin e vet, ku kushtet klimaterike janë mjaft të mira. Janë planifikuar nga stafi teknik edhe disa ndeshje miqësore, që do të shërbejnë edhe për të vendosur lidhje me lojtarët në provë.

Romeo Xinxifi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"