Merkatoja drejt “shkrirjes” te Besa, priten 3 afrime deri të shtunën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 14, 2019 | 16:19

Merkatoja drejt “shkrirjes” te Besa, priten 3 afrime deri të shtunën

Besa “ngriu” merkaton duke shpresuar që FSHF-ja ta ngjiste në Kategorinë Superiore. Nëse ndonjë nga 10 skuadrat nuk do të licencohej, kavajasit do të kishin shanse që të shkonin një kat më lart. Por tashmë që kalendari i elitës u zbardh, shpresat janë shuar.

besa1

Për këtë motiv, presidenti Nexhat Bizhdili ka vendosur që ta zhbllokojë merkaton. Jo më larg se tri ditë më parë për “Panorama Sport” ai deklaroi se i ka gati futbollistët që do afrojë. Por nuk po nxitohej, pasi po priste lajme nga federata. Kujtojmë se në radhët e verdhezinjve janë disa elementë në provë, por që janë larguar përsëri. Të vetmet afrime zyrtare mbeten Shimaj, Hoxha e Shaqe. Ndërkohë që krahas tyre është “divorcuar” me Besën me marrëveshje qendërmbrojtësi kosovar Shaljani. Në këto kushte, kur ka mbetur edhe një muaj nga starti i sezonit, klubi pritet që këtë javë ta përforcojë organikën me lojtarë cilësorë dhe me përvojë. Ky është premtimi i presidentit dhe gjasat janë që deri të shtunën të vijnë 3 përforcime.

GRUPI

Qendra e mbrojtjes ka dy të rinj si Shimaj e Kacbufi kavajas, pasi Kollolli ende vuan dëmtimin dhe është në fazë rikuperimi. Duket se reparti i prapavijës ka të garantuar vetëm portën me Mirakën, Dobjanin e Patoshin. Mangësi ka në mesfushë, ku ka domosdoshmëri për një organizator dhe lojtarë krahu.

besa

Çelhaka mbetet i vetmi titullar pas largimit të Mziut, ndërsa nuk dihet ende se çfarë do të ndodhë me Meglid Mihanin. Do vijojë të luajë futboll apo do kalojë në staf, dilema që do të marrë zgjidhje në vazhdim. E njëjta nevojë edhe në sulm, ku Onuh dhe Cara mbeten opsionet e vetme. Për të gjitha këto nëse Besa vërtet kërkon kthimin në Kategorinë Superiore, do t’i duhen më së paku 5 afrime cilësore. Aktualisht lojtarë me përvojë mbeten vetëm Miraka, Perja, Çelhaka, Cara dhe Onuh. Kujtojmë se kavajasit do të kenë përsëri në grup ekipe të përforcuara shumë si Apolonia, Lushnja apo Pogradeci.

Feriz Ferizaj

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"