Merkato për çdo repart te Elbasani, “fokusi” në Kategorinë e Parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 27, 2019 | 13:19

Merkato për çdo repart te Elbasani, “fokusi” në Kategorinë e Parë

Elbasani është shpërndarë. Lojtarët kanë marrë pushimet dhe e vetmja gjë që presin është zbardhja e axhendës për pjesën e mbetur të sezonit. Ende nuk ka një datë të saktë, e megjithatë fillimi i janarit do të sjellë rifillimin e stërvitjeve në kampin e verdhebluve. 

Elbasani

Nëse lojtarët po pushojnë, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për drejtuesit. Ata po mendojnë për merkaton. Skuadra ka nevojë për përforcime për të evituar rënien nga kategoria, ndaj nuk ka kohë për të humbur. Burime të besueshme për “Panorama Sport” pohojnë se në tavolinën e drejtuesve janë duke qarkulluar shumë emra futbollistësh. Vëmendja është përqendruar në tregun shqiptar dhe më saktësisht në Kategorinë e Parë.

 

Problemi qëndron se klubi nuk kërkon të marrë lojtarë pa përvojë. Ata duan që të shtojnë jo vetëm cilësi në organikë, por edhe eksperiencë. Nga informacionet paraprake, mësohet se kanë nisur kontaktet e para me disa elementë, edhe pse për momentin flitet vetëm për biseda formale dhe dëshira.

Të njëjta burimet tregojnë se klubi kërkon të përforcohet me lojtarë në të gjitha repartet, duke parë që gjatë këtyre javëve kampionat, skuadra ka çeduar jo pak. Dhe dëshmia më e mirë janë rezultatet në tri javët e fundit. Elbasani u shpërfytyrua, duke pësuar në total 13 gola.

Vladimir Mema

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"