Merkato nga porta në sulm/ Akord me mbrojtësin që u largua nga Dinamo, Apolonia tenton edhe Çelhakën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 10, 2021 | 9:31

Merkato nga porta në sulm/ Akord me mbrojtësin që u largua nga Dinamo, Apolonia tenton edhe Çelhakën

Apolonia ka nisur zyrtarisht dje fazën përgatitore, ndonëse trajneri ka një javë që ka mbërritur në Fier. Nën urdhrat e Manuele Blazit ishte pjesa dërrmuese e lojtarëve të mbetur nën kontratë, duke përfshirë edhe Endrit Çakon. Portieri ka gati marrëveshjen e re, teksa llogaritet si titullar për sezonin e ri.

manuele-blasi-696x464

MERKATO – “Panorama Sport” mëson se klubi ka siguruar shërbimet e mbrojtësit Emiljano Hidri dhe firma mbetet vetëm një formalitet. 25-vjeçari ka qenë pjesë e Pogradecit gjatë periudhës 2014- 2020, ndërsa vjet u aktivizua te Dinamoja. Nëse qe krijuar përshtypja se Apolonia do të vazhdonte me të rinj, informacionet e fundit që vijnë nga kërkesat e klubit në merkato, e rrëzojnë këtë aludim.

hidri

Fierakët po investohen edhe për të paktën 3 futbollistë përvoje dhe konkretisht: Endrien Magani, Erald Kolgega dhe Alked Çelhaka. Nëse dy të parët vështirë se vijnë, pasi dje kanë dalë zyrtarisht në stërvitje me Tomorin, e njëjta gjë nuk vlen për kavajasit. Mesfushori është një lojtar që Apolonia e ka pasur “fiksim” edhe përpara 4 vjetësh, por ai zgjodhi Tiranën.

celhaka tirana

Me përvojë edhe ish-futbollist i Besës dhe Laçit, si dhe së fundmi tek Egnatia, 27-vjeçari Çelhaka shihet si një element i rëndësishëm për përforcimin e mesfushës së bardhejeshilëve. Klubi nuk e quan të mbyllur me merkaton, pasi është në kërkim intensiv për një portier, një qendërmbrojtës dhe një sulmues goli. Sakaq, janë planifikuar dy miqësoret e para. Të mërkurën do të ndeshen me Lirinë e Prizrenit dhe në fundjavë me Burrelin.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"