Merkato në klubet e Superiores, Kamza godet përsëri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 25, 2016 | 12:23

Merkato në klubet e Superiores, Kamza godet përsëri

Kamza nuk di të ndalet. Drejtuesit e klubit, presidenti Naim Qarri dhe kryebashkiaku Xhelal Mziu e kanë të qartë objektivin për sezonin e ri, rikthimin e skuadrës në Superiore. Pas zyrtarizimit të tri goditjeve cilësore, Erlis Frashërit, Alis Bocit dhe Ermir Rezit, dje kanë ardhur edhe dy afrimet e radhës në skuadër. Bëhet fjalë për lojtarë që kanë qenë pjesë e ekipeve të Superiores deri kampionatin e kaluar. Drejtuesit kanë arritur akordin me portierin e Teutës, Bledian Rizvani, dhe mbrojtësin Elton Basriu, që ishte pjesë e Bylisit.

Rizvani (2)

Afrimet

Drejtuesit kanë qenë gjatë këtyre ditëve në bisedime me disa portierë. Një prej tyre ishte edhe Mario Bytyçi. Por, me këtë të fundit nuk u arrit asnjë marrëveshje. Klubi e kishte të domosdoshme edhe një portier të dytë dhe tashmë ai do të jetë Rizvani. Gardiani e ka arritur akordin me presidentin Qarri dhe tashmë pritet vetëm nënshkrimi i kontratës.

Kamzalinjtë e kanë blinduar portën duke pasur dy portierë të shkëlqyer siç janë Fabio Gjonikaj dhe Bledian Rizvani. Ky i fundit me një përvojë të gjatë në Superiore duke qenë pjesë e Teutës së Durrësit në 7 sezonet e fundit radhazi, ku ka luajtur 163 ndeshje me këtë skuadër.

Një tjetër akord drejtuesit e klubit kanë arritur edhe me mbrojtësin elbasanas, 28-vjeçarin Elton Basriu. Ky i fundit mund të luajë edhe në mesfushë. Gjatë kampionatit të fundit, lojtari ka qenë pjesë e Bylisit dhe e njeh shumë mirë Superioren. Në vazhdim priten afrime të tjera në skuadër.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"