Merkato me të huaj, ja strategjia e Tomorit për sezonin e ri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 20, 2018 | 15:05

Merkato me të huaj, ja strategjia e Tomorit për sezonin e ri

Tomori po punon për t’u përfaqësuar denjësisht në këtë sezon futbollistik, ashtu siç edhe i ka hije një klubi me traditë në futbollin shqiptar. Në këtë mënyrë konfirmohet se ambicia e vetme e drejtuesve të klubit është triumfi në Kategorinë e Parë. Lëvizjet janë të shumta në këtë periudhë transferimesh, si në dalje ashtu edhe në hyrje.

tomori tirana

Nga skuadra e sezonit të kaluar janë larguar Haxhi, Bitri, Daci, Hoxha, Ajdinaj, Myzyri, Mirani, Kopaçi, Gjonaj, Mitraj dhe i riu Zoga. Po ashtu, drejtuesit kanë afruar disa lojtarë të tjerë, të cilët shihen premtues dhe që mund të finalizojnë me sukses objektivat e këtij edicioni. Nga afrimet e kësaj merkatoje, ata që bien më shumë në sy janë lojtarët me kombësi të huaj. Kingsley Ogbodike, Bright Friday, Jean Rodrigo dhe Andre de Oliveira janë prurjet e huaja të merkatos verore, ku i vetmi emër shqiptar që i është bashkuar Tomorit gjatë kësaj periudhe është ai i Alvi Ahmetajt nga skuadra kryeqytetase e Tiranës.

Gjithashtu ka pasur edhe një sërë rinovimesh, duke nisur nga kapiteni Çaço e më pas Kaloshi, Koleci, Paja, Sharavolli dhe Mersini. Burime të sigurta pranë klubit bëjnë me dije se negociatat vazhdojnë edhe me disa futbollistë të tjerë, ndonëse tashmë është vonë për të gjetur futbollistë të kalibrit pa kontrata. Megjithatë, në Berat janë të bindur se Tomori këtë vit do t’i kthehet lavdisë, duke u ngjitur në Kategorinë Superiore pas 5 vitesh mungesë.

ERIS SYLYKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"