MERKATO/ Kinezët ofrojnë këtë shifër të çmendur për Hamdi Salihin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 24, 2016 | 13:47

MERKATO/ Kinezët ofrojnë këtë shifër të çmendur për Hamdi Salihin

Ofertë faraonike nga një klub kinez për Hamdi Salihin. Burime të sigurta të “Panorama Sport” pranë sulmuesit të Skënderbeut, tregojnë se gjatë ditëve të fundit shkodrani ka negociuar me drejtuesit e një klubi të Superligës kineze (emri mbahet i fshehtë për efekt tratative). salihiKinezët janë gati të japin 450 mijë dollarë në vit për shërbimet e golashënuesit më të mirë të Kategorisë Superiore.

Të njëjtat burime treguan për gazetën se sulmuesi është joshur nga kjo ofertë, por vendimin përfundimtar do ta marrë pas mbylljes së kampionatit shqiptar. 32- vjeçari është në vitet e fundit të karrierës dhe synimi i tij është të kapë një kontratë të majme.

Salihi nuk është një lojtar i panjohur për kampionatin kinez, pasi në vitin 2013 u aktivizua në 28 ndeshje për Jiangsu Suning dhe shënoi 9 gola. Kjo skuadër kryeson aktualisht Superligën kineze, ndërsa drejtohet nga rumuni Dan Petresku. Oferta për sulmuesin mësohet të ketë ardhur nga një tjetër klub, jo nga Jiangsu Suning. Megjithatë, në ditët në vijim pritet të mësohen të tjera detaje rreth të ardhmes së shkodranit. Vetë ky i fundit, i pyetur pak ditë më parë nëse do të rinovonte me Skënderbeun, la gjithçka të hapur, duke lënë të kuptohet se do të jetë e vështirë të qëndrojë sërish në Korçë.

“Është ende herët për një gjë të tillë, pasi më parë duhet të mendojmë për të fituar kampionatin. Rinovimi është një gjë për të cilën duhet diskutuar dhe marrë miratimi i familjes. Është një gjë e cila do të mbetet për t’u parë”, ka thënë Salihi gjatë një interviste për “Supersport”.

Sulmuesi nuk është dorëzuar ende për fanellën kuqezi, teksa pret që De Biazi ta grumbullojë në Europianin e Francës. Pritet që muaji maj të jetë vendimtar për të ardhmen e autorit të 25 golave deri më tani në Superiore. Largimi i tij do të hapte sigurisht një gropë në sulmin korçar, por gjithçka mbetet për t’u parë si do të rrjedhin ngjarjet.

Përgatiti: JORGIS MEMO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"