Merkato futet në fazë të nxehtë/ Lushnja largon tepricat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 21, 2022 | 22:06

Merkato futet në fazë të nxehtë/ Lushnja largon tepricat

Mbrojtësi Noel Konduri dhe mesfushori Fabian Blakçori nuk do të jenë pjesë e ekipit të Lushnjës për fazën e dytë të kampionatit.

LUSHNJA AGIM CANAJ

Ata do të jepen në formë huazimi dhe do të rikthehen në stadiumin “Roza Haxhiu” në sezonin e ardhshëm. Këtë e deklaroi për “Panorama Sport” trajneri Agim Canaj, i cili tregoi edhe riorganizimin që po ndodh në kampin lushnjar.

“Klubi i Lushnjës i është nënshtruar një riorganizimi gjatë kësaj periudhe, ku edhe afrimet kanë qenë të konsiderueshme. Kur organika bëhet e madhe, pa dyshim që shikohet edhe për ndonjë reduktim, që u vjen në ndihmë edhe lojtarëve që do të kishin më pak hapësira. Në mirëkuptim, në kuptimin e mirë të fjalës, sepse po të ishin këtu, do të kishin pak mundësi aktivizimi, u dhamë mundësi lojtarëve që aktivizohen në klube afër Lushnjës, si në Peqin apo diku tjetër. Ne jemi munduar që të jemi sa më efektivë, për një ecuri të mirë në kampionat. Jo se ata nuk ishin, por mendojmë për një riorganizim disi më shumë me lojtarë me eksperiencë.

Ndaj Konduri dhe Blakçori nuk do të jenë pjesë e ekipit në fazën e dytë. Ata janë dërguar në huazim dhe pastaj do të kthehen sërish në ekipin e parë. Momentalisht, ne nuk pyesim për objektiva të largët, pasi qëllimi ynë është vetëm një, që të mbijetojmë këtë sezon në Kategorinë e Parë. Në të gjitha format do të mundohemi që t’ia dalim”, deklaroi trajneri Agim Canaj

. Ndërkohë, largimin nga Lushnja e ka konfirmuar edhe mbrojtësi Aldo Bani. Në një kontakt për gazetën, qendërmbrojtësi tha se nuk është më pjesë e Lushnjës. “Për momentin jam në bisedime me Vorën, Shkumbinin dhe Butrintin”, tha Bani.

NDESHJE DHE FESTË – Nesër, në orën 13:30, Lushnja luan ndeshjen e parë zyrtare për vitin 2022. Në një prononcim për “Panorama Sport”, presidentja e klubit, Eriselda Sefa, u shpreh: “Qyteti është përfshirë nga festimet e 102- vjetorit të Kongresit të Lushnjës. Unë në datën 22 janar do të jem në stadium, për të mbështetur si të gjithë qytetarët lushnjarë ekipin tonë të zemrës. Besoj se ekipi për fazën e dytë do të ketë një paraqitje, ashtu siç e meritojnë tifozët e zjarrtë të Lushnjës.

Me këtë ekip që kemi ngritur kërkojmë fitoren. Për ndeshjen me Maliqin, objektivi është fitorja. Të festojmë me tri pikë”. Ekipi i Lushnjës feston 97-vjetorin e krijimit. Skuadra u ngrit pikërisht në festimet e 5- vjetorit të Kongresit të Lushnjës dhe me propozimin e Ferid Vokopolës, skuadra verdhejeshile u quajt “Kongresi i Lushnjës”.

ALBAN ALUSHI  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"