Merkato edhe në Nigeri, Tirana “piketon” dy futbollistë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 20, 2018 | 20:29

Merkato edhe në Nigeri, Tirana “piketon” dy futbollistë

Tirana zhvendoset në Nigeri për merkato. Afrika mbetet “dashuria” e kahershme e bardhebluve dhe kjo kuptohet qartë nga numri i shumtë i lojtarëve të ardhur nga ky kontinent gjatë dekadës së fundit. Nëse nga Kenia kanë hequr në një lloj forme “dorë” (duke qenë se dy blerjet ekskluzive të dimrit që bëri Ze Maria rezultuan një dështim, konkretisht Muguna dhe Musa), kjo nuk do të thotë që nuk i duan më afrikanët. Përkundrazi, drejtuesit prej muajsh janë duke “operuar” në Nigeri për dy futbollistë.

tIRANA

Bëhet fjalë për një qendërmbrojtës dhe një fantazist. Edhe pse rolet janë zbuluar, emrat mbahen “mister”. Drejtuesit fillimisht synojnë që të arrijnë akordin me firmë dhe më pas mund të vijë radha e prezantimeve. Që të dy këta elementë janë në moshë relativisht të re, që do të thotë, veç cilësisë që synojnë t’i shtojnë Tiranës, klubi pretendon që në vazhdim të gjenerojë parà.

Strategjia e nisur një vit më parë me Merveilin dhe Akuanë, do të aplikohet edhe këtë sezon. Nëse kjo verë do të jetë pushim absolut, pasi shanset janë më shumë se minimale për të shitur ndonjë prej elementëve që kanë në organikë, nga merkatoja e dimrit e tutje, kanë planifikuar që të mbushin “arkën”. Të kushtëzuar prej rregullit me lojtarët e huaj, Tirana është më shumë se e limituar në këtë merkato. Përgjegjësit e merkatos nuk mund të marrin më shumë se dy futbollistë “ekstrakomunitar”, kur dihet që nën kontratë i kanë 4 të tillë. Ndaj e kanë parë të udhës që të marrin një qendërmbrojtës cilësor dhe një fantazist, role që nuk kanë mundur t’i gjejnë në Shqipëri.

Sakaq, lojtarët e afruar nga ky vend nuk kanë as kosto shumë të lartë, ndaj drejtuesit kanë bërë këtë zgjedhje. Pjesën tjetër të organikës do ta plotësojnë me produkte vendëse, por edhe futbollistë të ardhur nga Kosova dhe Maqedonia, që te ne nuk trajtohen si të huaj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"