Merkato e Partizanit/ Vendasit e nxorën nga “balta” e dështimit, të huajt lënë për të dëshiruar (TABELA E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 15, 2022 | 18:43

Merkato e Partizanit/ Vendasit e nxorën nga “balta” e dështimit, të huajt lënë për të dëshiruar (TABELA E PLOTË)

Partizani në verë u përball me disa largime të rëndësishme dhe iu desh të ndërtonte një skuadër thuajse nga e para. Drejtuesit sollën disa lojtarë, që e kishin provuar më parë shijen e Kategorisë Superiore, por edhe të tjerë nga jashtë, shumica dërrmuese e të cilëve nuk kishin luajtur ndonjëherë në kampionatin shqiptar.

partizani 3 (1)

Nëse i hedhim një vështrim gjithë futbollistëve që Partizani ka sjellë në merkaton e verës dhe atë të dimrit të këtij sezoni, mund të kuptojmë qartë edhe një nga arsyet përse të kuqtë nuk janë aty ku pretenduan në nisje të sezonit.

TË HUAJT – Gjithsej, te Partizani kanë ardhur tetë lojtarë të huaj. Në verë firmosën Damçevski, Gligorov (i larguar), Filipoviç (i larguar), Sembene e Maget, ndërsa në janar u afruan Mirosavljev, Matondo dhe Fernandinjo (i larguar).

Nëse i hedh një sy statistikave të marra nga “Soçerway” dhe “Transfermarkt”, por edhe asaj çfarë kemi parë në fushën e lojës, mund të themi pa asnjë kompleks se të huajt janë zhgënjimi më i madh i Partizanit të këtij sezoni. Le t’i shohim një e nga një.

Gligorov, Damçevski dhe Filipoviç në asnjë moment nuk treguan se janë të denjë të luajnë për Partizanin. Më fatkeqi mes këtyre të treve është Damçevski, i cili kaloi një periudhë të gjatë dëmtimi. Maget dhe Sembene u morën si talente premtuese nga ish-trajneri Daja dhe drejtuesit e “demave”.

v1

Dy të rinjtë nga Senegali janë parë disa herë në formacion gjatë gjysmës së parë të sezonit, por me ardhjen e Mehmetit në stol, janë “zhdukur”, teksa orvaten nga ekipi i parë në atë U-21.

Milan Mirosavljev erdhi në janar si lojtari, që do të shndërrohej në pikë referimi në sulm, por Skuka ia mori skenën dhe drejtuesit po mundohen ta largojnë për të minimizuar dëmet financiare.

I vetmi i huaj, që ka dhënë sinjale pozitive dhe ka treguar se mund ta ndihmojë Partizanin të përmirësohet, është Matondo. Kongolezi erdhi në verë dhe me atë që ka treguar, shumë shpejt do të jetë një nga mesfushorët difensivë më të mirë të Superiores.

ERGYS KAÇE – Korçari është “dhimbja” më e madhe financiare e Partizanit. Ai i mori të kuqve më shumë se 80 mijë euro në rreth 5 muaj qëndrim, por në asnjë moment nuk e ngjiti lojën në nivelin e emrit të tij.

Nëse më lart thamë se zhgënjimi i Partizanit vjen nga jashtë, duhet të themi se edhe Kaçe, megjithëse është shqiptar, erdhi nga futbolli grek dhe nuk kishte provuar asnjëherë më parë të luante në Kategorinë Superiore.

KUSH ËSHTË LOKOMOTIVA – Partizani solli shumë emra të rinj, por për dore e morën emra të njohur më parë në kampin e kuq dhe në futbollin tonë. Me rikthimin e Eneo Bitrit, mbrojtjes së kuqe iu kthye siguria dhe që nga janari nuk kemi parë të bëhen gabimet trashanike të pjesës së parë të sezonit.

Ndërkohë, nëse kërkohej nga Mirosavljev, kriza e sulmit u zgjidh nga një dibran, Xhuliano Skuka, i cili u bë pjesë e të kuqve, pasi Dinamo e kishte larguar si të padëshiruar.

Gjithsesi, siç mund ta shikoni në grafikën përbri shkrimit, jo të gjithë shqiptarët kanë rezultuar të suksesshëm me fanellën e Partizanit.

v2

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"