Merkato e ngjeshur te Skënderbeu, Gavazajn e duan në Belgjikë. “Sirena” izraelite për Micin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 12, 2018 | 19:48

Merkato e ngjeshur te Skënderbeu, Gavazajn e duan në Belgjikë. “Sirena” izraelite për Micin

Skënderbeu është në pritje të vendimit të KAS nëse do të marrë pjesë apo jo në Champions, por duket se ky nuk është i vetmi përqendrim madhor për bardhekuqtë. Krahas pritjes, ajo që i tundon më shumë korçarët është edhe zhvillimi i merkatos në dalje, por edhe në konfirmimin e ekipit. Ofertat që kanë vënë në dyshim drejtuesit bardhekuq janë disa. Veç Vangjelit dhe Micit që mund të konsiderohen lojtarë të lirë është edhe Gavazaj, i cili ka një kontratë edhe për një sezon me Skënderbeun. Karriera e Enis Gavazajt duket se me shumë mundësi do të vazhdojë në Belgjikë.

gavazaj

Kjo bazuar në interesin e madh të shfaqur nga klubet e Superligës belge. Ostende, Sharleroi dhe një tjetër klub, emri i të cilit nuk është bërë i ditur, kanë nisur garën për shërbimet e mesfushorit të krahut të klubit bardhekuq. Djaloshi nga Prizreni ka qenë prej kohësh i vëzhguari special i klubeve nga liga të ndryshme europiane, për një transferim që pritet të konkretizohet pas paraqitjeve të tij në edicionin e kaluar të Europa Ligë, ku Gavazaj shënoi edhe në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve përballë Jang Bojs.

Me paraqitjet e bëra te Skënderbeu, 23-vjeçari është cilësuar prej kohësh si një prej xhevahireve të klubit korçar në merkato, për të vazhduar politikën e promovimit dhe më pas të shitjes së talenteve shqiptarë në skuadra të ndryshme europiane. Duket se në drejtimin e Gavazajt Skënderbeu nuk lëviz nga pretendimet e veta për sa i përket shitjes së kartonit të yllit të ekipit. Bardhekuqtë vijojnë të jenë të vendosur që të kërkojnë 600 mijë euro për të lënë të lirë futbollistin dhe këtu duket se gjërat kanë ngecur disi.

Të tjerët – Sirenat e largimit po bien edhe për dy lojtarë të tjerë të ekipit të Skënderbeut, të cilët janë në fund të kontratës. Një situatë e tillë prek në veçanti dy lojtarët bardhekuq. Vangjeli është gjithmonë e më shumë i tërhequr nga rikthimi në Greqi edhe për shkak të familjes që e kanë të vendosur në Selanik. Në këtë drejtim, Vangjeli është më shumë se i dyzuar për zgjedhjen që duhet të bëjë në këtë rast. Një aventure në Europë me Skënderbeun nuk i thuhet jo, ndërsa në anën tjetër kthimi në Selanik e tundon. Pritet që koha të tregojë se cila do të jetë zgjedhja e korçarit. Ndërsa, për Gledi Micin veç Pas Janinës duket se ka shfaqur interes edhe një ekip izraelit që kërkon të marrë shërbimet e fierakut. Mici momentalisht ndodhet me pushime, ndërsa pasi të kthehet do të diskutojë me drejtuesit e Skënderbeut rreth së ardhmes, por nuk përjashtohet edhe rinovimi i kontratës për fierakun që e ka deklaruar se i pëlqen të vijojë qëndrimin në Korçë.

Llazi Saro

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"