“Merkato e hapur, Lushnja kërkon Superioren”, Klodian Duro “skanon” 8 ditët stërvitore: Pres më shumë cilësi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 27, 2022 | 23:24

“Merkato e hapur, Lushnja kërkon Superioren”, Klodian Duro “skanon” 8 ditët stërvitore: Pres më shumë cilësi

Klodian Duro e ka një ide më të qartë për Lushnjën pasi ka mbyllur ditën e tetë të stërvitjes. Edhe pse hyrjet-daljet kanë qenë të shumta, trajneri i ka marrë përgjigjet që donte. Vlerëson lojtarët që i janë afruar dhe reagimin nga ngarkesat, por qartazi e thotë që pret më shumë cilësi nga merkatoja.

Sefa-Duro

Në një prononcim të dhënë enkas për “Panorama Sport”, thekson se kjo javë do të jetë vendimtare për të konsoliduar grupin, pasi pret që të hënën tjetër të nisen të plotë për fazë. “Këtë javë do të konsolidojmë komplet grupin. Para se të ikim në fazë përgatitore, dua ta kemi mbyllur këtë proces.

Për këtë arsye na janë bashkëngjitur edhe disa futbollistë të tjerë, të cilët do t’i shikoj me shumë imtësi. Janë të afirmuar, pasi kanë luajtur jo vetëm në Kategorinë e Parë, por edhe në Superiore. Por, që do t’i shikojmë dhe deri në fund të javës të kemi idenë e qartë për gjithsecilin. Jam i kënaqur nga futbollistët. Janë të prirur për t’u stërvitur, mësuar e për të bashkëpunuar dhe kjo më ngroh”, tha fillimisht numri një i stolit të verdhejeshilëve.

SYNIMET – Elbasanasi e di se çfarë kërkon me Lushnjën, ndaj nuk ngurron ta thotë me të madhe. “Pasi ta kemi pasqyrën të qartë, do vendosim për çdo futbollist. Do mbajmë ata që ne mendojmë se janë të duhurit, sepse e kemi thënë që kemi pretendime madhore.

Duam kreun e tabelës dhe rrjedhimisht pjesëmarrjen në Superiore. Merkatoja do të mbetet deri ditën e fundit. Jo vetëm për ne, por për të gjitha ekipet. Kush nuk do ta dëshironte një futbollist që bën diferencën. Edhe ne do të jemi të hapur te kjo pjesë. Duam që të shtojmë cilësinë në çdo repart, ndaj kërkimet do të vazhdojnë. Për pjesën tjetër, vëmendjen e kemi brenda familjes. Jemi të prirur që t’u japim mundësinë të rinjve të Lushnjës.

U kemi dhënë dhe do t’u japim çdo ditë jo vetëm në stërvitje, por edhe kur të vijnë ndeshjet zyrtare. Produktet e akademisë do i kemi gjithnjë pjesë të organikës dhe formacionit. Veçoj dy emra nga të rinjtë, Arapin dhe Hajdarin. Dalëngadalë po hyjnë në ritmin e ekipit të parë”, deklaroi 44-vjeçari.

KUSHTET – Trajneri u ndal edhe tek infrastruktura që ka gjetur në Lushnjë. Vlerëson kushtet stërvitore dhe jep lajmin e madh për stadiumin “Roza Haxhiu”. “Jam super i kënaqur nga të gjitha kushtet. Është investuar shumë në infrastrukturë dhe vazhdon të investohet.

I fundit është edhe rinovimi i fushës së stadiumit dhe i tribunës përballë. Në bashkëpunim edhe me kompaninë që ka marrë përsipër ta realizojë, ta arrijmë në kohë, për të luajtur në fushën tonë. Jam shumë i kënaqur me kushtet këtu në Plug, nga gjithçka dhe kënaqësia është e të gjithëve bashkë. Ambienti dhe njerëzit që kam gjetur këtu në Lushnjë janë shumë bashkëpunues. Janë shumë të hapur për të punuar”, përfundoi Duro.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"