“Merkato e dështuar te Luftëtari, trajneri Kostiç ka zhdukur kundërsulmin”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 5, 2018 | 20:16

“Merkato e dështuar te Luftëtari, trajneri Kostiç ka zhdukur kundërsulmin”

Theodhori Kalluci, ish-trajneri i Luftëtarit në sezonin 1994-1995, e ka të vështirë për të thënë të pamundur të sjellë në kujtesë tri humbje radhazi në start për bluzinjtë. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, Kalluci analizon situatën që Luftëtari përjeton aktualisht.

Kalluci

“Kemi pasur një apo dy humbje rresht, por pastaj ose kemi fituar ose barazuar. Është për të ardhur keq për këtë nisje të tillë. Zhgënjimi është i dyfishtë kur skuadra humbet në shtëpi. Humbja me Kastriotin, i ardhur nga Kategoria e Parë, më ka lënë shije të hidhur. Humbëm me Flamurtarin javën e tretë, por ama ekipi prodhoi lojë dhe pati disa raste shënimi”, është shprehur në fillim ish-futbollisti i Luftëtarit. “Mjeshtri i Sportit” nuk heziton të shprehë rezervat e tij për mënyrën e operimit në merkato.

“Cilësitë e lojtarëve të sulmit sipas mendimit tim nuk janë të mjaftueshme për të gjetur rrjetën e kundërshtarëve. Një sulmues i vetëm si Shkurtaj nuk mjafton. Sulmuesit e krahut nuk bindin. I pafalshëm momenti i sulmuesit serb, me Flamurtarin. Edhe sulmuesi i krahut të djathtë (Radoviç) s’më duket i duhuri për Luftëtarin. Mbi të gjitha, në lojën e skuadrës mungon mekanizmi rregullues i reparteve, organizatori i mirëfilltë, që u pa edhe në ndeshjen e fundit. Aktivizimi i të riut Erald Hyseni i dha tjetër marsh lojës. Më mirë një i ri me perspektivë në fushë sesa një lojtar i afruar me bujë në merkto nga tregu i huaj. Merkaton do ta vlerësoja të dështuar në këtë verë të nxehtë”, tha Kalluci.

Zgjedhja e stafit teknik e lojtarëve, si dhe mosharmonizimi i grupit, sipas Kallucit, janë disa nga faktorët kryesorë që mbajnë “peshën” e dështimit të Luftëtarit në tri javët e luajtura. “Në praktikën e futbollit tonë trajnerët e huaj kanë dështuar. Një futbollisti në stërvitje apo ndeshje zyrtare i flitet shqip. Të tillë moment Luftëtari e kaloi vjet me stafin nga Uruguai. Dhe harmonia mes grupit të lojtarëve është shkak për këtë gjendje të Luftëtarit. Për mua ekipi është i paformuar, edhe pse ka nisur i pari përgatitjet. Luftëtari në 20 minutat e fundit është i lodhur. Një tregues që konfirmon punën jo rentabël të stafit teknik negativ”, deklaron trajneri i njohur. Po çfarë e shpëton Luftëtarin dhe Millosh Kostiçin?

“Nëse Luftëtari do të marrë qoftë dhe një pikë ndaj Tiranës, atëherë klima brenda grupit përmirësohet, skuadra rritet moralisht. Një rezultat ndryshe do të thotë ndërlikim i objektivit mbijetesë. Luftëtari në ndeshjen me Tiranën duhet të ndryshojë mentalitetin e lojës. Një thesar që ke në duar duhet ta ruash. Njerëzit pranë trajnerit e dinë mirë se kundërsulmi është ‘arma’ fituese e Luftëtarit. Është detyrë e këtyre njerëzve që kjo mënyrë loje e Luftëtarit të rikthehet dhe veçanërisht në ndeshjet e transfertave. Një pikë për çdo skuadër do të ndryshonte rrjedhën e javëve pasardhëse. Për Luftëtarin një pikë do të ishte oksigjen, për Tiranën nuk di nëse do të mjaftonte”, ka mbyllur Theodhori Kalluci.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"