Merkato e dështuar, Reali 500 milionë euro ‘dëme’ pas Ronaldos

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 12, 2020 | 22:48

Merkato e dështuar, Reali 500 milionë euro ‘dëme’ pas Ronaldos

Reali i Madridit e mbylli sezonin me titullin kampion të fituar, të cilin Zinedin Zidan e mori duke i besuar “gardës së vjetër”. Arsyeja është shumë e thjeshtë: transferimet që janë bërë në skuadër pas largimit të Kristiano Ronaldos nuk kanë qenë të aftë që të marrin vendin e të paprekshmit në skuadër, me përjashtim të portierit Tibo Kurtua, i cili në këtë sezon ishte i jashtëzakonshëm.

realmadrid-entrenamiento8

Në total, Florentino Perez ka nxjerrë nga arkat e klubit 474 milionë euro në dy sezone (156 milionë në merkaton e parë dhe 273 në të dytën), shtuar këtu edhe 30 milionë për Reinierin, i cili ende nuk ka debutuar. Në tërësi, klubi ka pasur një politikë të qartë për të afruar të rinjtë. Disa prej tyre vazhdojnë të jenë në “Bernabeu”, ndërsa të tjerë janë huazuar pa lënë shumë gjurmë me “Galaktikët”. Në këtë sezon vetëm Mendi ka arritur që të vendosë në vështirësi Marselon për vendin e titullarit në krahun e majtë. Rasti tjetër interesant është ai i Valverdes, i cili u rikthye nga huazimi te Deportivo dhe në momente të caktuara u bë lojtar i rëndësishëm. Ky është bilanci i blerjeve të Realit të Madridit në epokën “post-Ronaldo”.

Mendi ia doli- Mbrojtësi francez vuri në vështirësi trajnerin Zinedin Zidan dhe e detyroi që në shumë ndeshje të linte në stol Marselon. Ishte titullar në sfidën kundër Sitit dhe në kampionat u bë i rëndësishëm. Megjithatë, ai nuk ishte një surprizë, sepse luante titullar me Lionin dhe u ble për 48 milionë dhe 5 të tjera në formë bonusi.

Luhatjet e Rodrigos- Një tjetër lojtar që bilancin e ka pozitiv, por jo shumë të mirë. Kurrë nuk ia doli që të ishte fiks në formacion. Në këtë vit ai ka kaluar gjithçka. Nga titullar në ndeshjet vendimtare në Champions ndaj Sitit apo Gallatasarajit deri tek aktivizimi me ekipin e dytë. Klubi pagoi 45 milionë euro për të.

Dështimi i Hazardit- Dëmtimi në gju ndikoi në sezonin e tij të parë si lojtar i Realit të Madridit. U transferua në Spanjë për 115 milionë euro dhe duhet të bënte rolin e Kristiano Ronaldos, jo vetëm për golat, por për lojën dhe për peshën në skuadër. Por duhet të presim sezonin e ardhshëm për ta parë këtë gjë nga belgu. Ai është një nga lojtarët më të mirë në botë, por në këtë vit ka qenë një dëmtim total. Në disa ndeshje ka dhënë shkëndija, por nuk mjaftojnë. Ka shënuar vetëm një gol dhe ka dhënë 7 asiste në 22 ndeshje të luajtura. Reali ka nevojë për të në të ardhmen.

Militao, me dyshime- Erdhi nga Porto si një mbrojtës që mund të luajë në qendër dhe nga krahët. Nuk ka funksionuar as në rastin e parë dhe as në të dytin. Ndaj Sitit bëri një ndeshje pak a shumë të mirë, por nuk mjafton. Nëse fiton më shumë besim, mund të jetë një zëvendësues, por është shumë pak për një lojtar që u transferua 50 milionë euro.

Blerjet

Joviç, katastrofë- Zhgënjimi më i madh i merkatos së Realit në këto dy vite është sulmuesi serb. Nuk është integruar as në fushë dhe as jashtë saj. Zidan e ka mbrojtur gjithmonë dhe e ka theksuar se e ardhmja e tij është në Madrid, por ai kushtoi 60 milionë euro dhe mund të bënte më mirë. Ka pasur shumë dëmtime dhe në 27 ndeshje ka shënuar vetëm 2 gola dhe 2 asiste.

Vinicius, në hije- Vinicius Xhunior duket se nuk konsiderohet lojtar shumë i rëndësishëm nga Zinedin Zidan. Në sezonin e tij të dytë në Madrid ka humbur terrenin dhe shpeshherë është lënë në stol edhe nga Rodrigo. Ndaj Sitit ishte titullar në ndeshjen e parë dhe nuk luajti asnjë minutë në të dytën. Ka shënuar 5 gola dhe ka dhënë 4 asiste në 38 ndeshje.

Kurtua, super- Transferimi i Kurtuasë mund të konsiderohet një goditje në merkato. Reali shpenzoi 35 milionë euro për një nga portierët më të mirë në botë. Pas një sezoni jo shumë pozitiv, këtë herë shkëlqeu. Të tjerët që kanë dështuar janë Odriozola, Mariano Diaz, Brahim Diaz, Kubo dhe Reinier. Për këta të fundit do të vendosë koha, sepse konsiderohen si talentet e së ardhmes…

Përgatiti: GENTJAN ALINANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"