Merkato e dështuar e Partizanit, janë larguar 4 afrimet e bujshme të verës së kaluar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 20, 2022 | 18:32

Merkato e dështuar e Partizanit, janë larguar 4 afrimet e bujshme të verës së kaluar

“Lufta” me Ergys Kaçen është mbyllur. Mesfushori nuk është më pjesë e Partizanit, me klubin, që njoftoi mesditën e djeshme ndarjen me mirëkuptim. Po, me mirëkuptim, por rruga deri te kjo ndarje nuk ishte aspak konstruktive.

ergys kace 2

Pas largimit të Ilir Dajës, klubi nisi një revolucion tjetër dhe mes të padëshiruarve ishte Ergys Kaçe. Mesfushori pranoi vendimin e klubit, por bëri një rezistencë për të marrë pagat e tij deri në janar, plus muaj shtesë. Në fund korçari dhe klubi kanë arritur marrëveshjen për të marrë pagë deri në fund të këtij muaji.

Ulja e pretendimeve erdhi për shkak se Partizani e kaloi tek U-21 lojtarin dhe ky shërbeu si një mesazh i qartë për atë që e priste Kaçen nëse nuk ndahej sipas kushteve të drejtuesve. Kështu,ai lë Partizanin pas vetëm 6 muajsh, ku për hir të së vërtetës nuk e tregoi versionin e tij origjinal, që e kemi parë te PAOK apo në Kombëtare.

Ndryshe nga ç’ka ndodhur me anonçimet e largimeve të tjera, Kaçes nuk iu urua sukses në të ardhmen. “Partizani njofton përfundimin e bashkëpunimit me lojtarin Ergys Kaçe. Mesfushori 28-vjeçar dhe klubi kanë vendosur të ndërpresin me mirëkuptim marrëveshjen mes tyre”, shkruhet në njoftim.

MERKATO E DËSHTUAR – Ergys Kaçe ishte largimi i katërt në radhë në këtë dritare transferimesh, nga lojtarët, që erdhën në merkaton e verës. Përveç tij, edhe Musta, Filipoviç dhe Gligorov kanë lënë Partizanin në këtë fillim të vitit. Nëse largimi i Mustës ishte misterioz dhe elbasanasi, e parë nga jashtë nuk mund të quhet dështim, ndryshe ndodh me tre të tjerët.

Kroati Filipoviç u mor për të udhëhequr ofensivën dhe ishte lojtari më i shtrenjtë i ekipit me 550 mijë euro, por dështoi. Gligorov gjithashtu u projektua titullar pas sezonit pozitiv me Vllazninë, por nuk bindi. Me pak fjalë, Partizani ka larguar katër, nga prurjet më të bujshme të verës dhe konkluzioni në këtë rast është i qartë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"