Merkato e bllokuar, por Flamurtari tenton të rikthejë dy “ish”-ë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 13, 2021 | 11:53

Merkato e bllokuar, por Flamurtari tenton të rikthejë dy “ish”-ë

Kaos total te Flamurtari. Po bëhet thuajse një vit që në Vlorë nuk bëjnë dot afrime. Që prej shkurtit të 2020-ës, merkatoja u është bllokuar dhe rrjedhimisht nuk kanë akses për të regjistruar lojtarë të rinj. Edhe pse drejtuesit vazhdimisht kanë deklaruar se kjo çështje do të zgjidhet shumë shpejt, nuk kanë bërë asgjë. “Panorama Sport” është interesuar pranë FSHF-së dhe ka mësuar se deri dje nuk u është hapur sistemi. Në verë morën 4 lojtarë të cilët nuk luajtën dot kurrë, ndërsa tani u është bashkuar edhe një sulmues. Tarik Çmajcanin, Burak Menga, Alvi Ahmetaj, Stiven Puci dhe Paulo Rikardo janë ende pezull.
POGRADECI FLAMURTARI
Dy të parët pritën deri në dhjetor dhe më pas u larguan, ndërsa gjirokastritët dhe braziliani vazhdojnë stërvitjen. Edhe pse nuk bëjnë dot federime, kjo nuk i ka penguar vlonjatët të vazhdojnë negociatat. Gazeta mëson se klubi po mundohet që të rikthejë dy lojtarë të cilët mbyllën sezonin e kaluar në Vlorë.
pjimage
Olsi Gocaj (m) dhe Kreshnik Nebihu (d) gjatë prezantimit me Flamurtarin para sezonit të kaluar

Ditët e fundit kanë qenë në bisedime me Olsi Gocajn. Që prej largimit nga Flamurtari, shkodrani është pa ekip. Drejtuesit e kanë telefonuar shkodranin dhe i kanë kërkuar që t’u bashkohet. Palët e kanë lënë të hapur çështjen e një bashkëpunimi të mundshëm dhe çdo gjë do të varet nga hapja e merkatos. Është mësuar gjithashtu se klubi është në kontakte edhe me Kreshnik Nebihun. Kosovari u largua kur ekipi ra në Kategorinë e Parë. Ai aktualisht është pjesë e Trepçës ‘89, megjithatë nuk e ka përjashtuar mundësinë e rikthimit. Por, problem mbetet zhbllokimi i merkatos. Sikurse të gjithë futbollistët që e mbyllën sezonin e shkuar, as Gocaj me Nebihun nuk janë paguar. Megjithatë, mësohet se lojtarët nuk kanë vendosur ndonjë kusht për t’u rikthyer sa u përket detyrimeve të prapambetura.

ADELA MERKO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"