Merkato e bllokuar mban peng afrimet, Resuli: Sukaj dhe Gocaj na ndihmojnë shumë po erdhën, Flamurtarin e kënaq vetëm fitorja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 6, 2021 | 10:29

Merkato e bllokuar mban peng afrimet, Resuli: Sukaj dhe Gocaj na ndihmojnë shumë po erdhën, Flamurtarin e kënaq vetëm fitorja

Trajneri Dritan Resuli për “Panorama Sport” thotë se çdo kundërshtar përballë Flamurtarit është i supermotivuar. Vlonjatët do të kenë sot në portë Shpëtim Moçkën e rikthyer, që është një siguri shumë e madhe në arritjen e objektivit të ndeshjes. Resuli pohon se e njeh Turbinën dhe sot do të ishte i kënaqur vetëm me fitoren.

RESULIIII

“Kemi bërë përgatitjet e duhura. Kohën e kemi pasur në dispozicion. Ndeshjet miqësore që kemi zhvilluar na kanë vlejtur për kolaudimet në ekip. Kemi pasur nevojë për të shmangur ato mangësi që kishim në fazën e parë. Jemi gati për fillimin e kampionatit. Serioziteti dhe besueshmëria në stërvitje më bëjnë optimist. E njohim kundërshtarin, por unë jam përqendruar te puna me grupin tim. Çdo ndeshje e kemi shumë të vështirë dhe e vlerësojmë si finale, pasi ekipet kundërshtarët janë super të motivuara kundër nesh, në çfarëdo stadi që të jemi. Në çdo ndeshje ne hyjmë për të marrë maksimumin dhe kështu do të bëjmë edhe përballë Turbinës. Ajo ka të bëjë edhe me zhvillimin e 90- minutëshit, pasi dihet që çdo ndeshje është e përfshirë nga shumë episode dhe varet se si do t’i menaxhojmë ne. Shpresoj dhe besoj se do të marrim maksimumin në këtë transfertë të parë për këtë fazë të dytë”, tha fillimisht trajneri i Flamurtarit Dritan Resuli.

SHKODRANËT

Trajneri Dritan Resuli shpreson te afrimi i Xhevahir Sukajt dhe Olsi Gocajt. Tekniku thotë se, për cilësitë që kanë do ta ndihmonin mjaft skuadrën. “Sukaj dhe Gocaj janë lojtarë me cilësi dhe kualitete. Kanë qenë pjesë e grupit. Uroj dhe shpresoj që të bëhen sa më shpejt pjesë e jona, pasi për vlerat që kanë do të na ndihmonin shumë. Jemi në pritje. Ndërkohë që për ndeshjen e radhës do të bazohem te grupi që kam në dispozicion dhe që është stërvitur gjatë gjithë kësaj kohe”, shprehet Resuli.

MERKATO

Për shkak të bllokimit të merkatos, Flamurtari sot nuk do të mund të aktivizojë dy afrimet e fundit, brazilianin Paolo Rikardo si dhe vlonjatin David Bocaj. Trajneri uron që kjo situatë të zgjidhet sa më shpejt. “Ne jemi në pritje edhe të disa lojtarëve të tjerë me të cilët jemi në bisedime. Shpresojmë që të zgjidhet sa më shpejtë kjo situatë. Afrimi i Paolo Rikardo është pozitiv. Por, për ndeshjen e parë nuk e kemi gati për arsye dokumentacioni. Ai është përshtatur me grupin dhe do të na ndihmojë për vazhdimësinë e kampionatit”, përfundon Resuli.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"