Merkato dhe privatizim urgjent, ish-kapiteni tregon se si Lushnja mund të ngjitet mes më të mirëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 10, 2021 | 15:11

Merkato dhe privatizim urgjent, ish-kapiteni tregon se si Lushnja mund të ngjitet mes më të mirëve

 E fundit herë që Lushnja fitoi Kategorisë e Parë dhe u ngjit rrjedhimisht në elitë ishte në sezonin 2013-2014. Asokohe formula ishte me një grup dhe 16 skuadra, ashtu si do të ndodhë edhe tani.

gentian cela

Në kampin verdhejeshil shpresojnë që të përsëritet historia dhe pas 8 vitesh, të kthehen ku e kanë vendin. Ish-kapiteni Gentian Çela është optimist, por për “Panorama Sport” thotë se duhet ndërhyrje emergjente për të privatizuar klubin.

“Kategoria e Parë do të jetë shumë më e fortë dhe cilësore, krahasuar me këtë sezon që sapo u mbyll. Do të jetë një garë e ashpër, ndaj Lushnja duhet të marrë menjëherë masa për ta përballuar sezonin e ri. Me kontigjentin që kanë, do ta ketë shumë të vështirë. Potencialisht, sërish zbresin 6 skuadra dhe rivaliteti do të jetë shumë i madh.

Në këtë lloj formati 2-3 ekipe luajnë për titull. Rreth 65-70% luajnë për të qëndruar. Lushnja ka nevojë për ndërhyrje urgjente. Klubi duhet të privatizohet. Kjo do të hapte rrugën për një merkato shumë cilësore, që kërkon buxhet. Ka domosdoshmëri për 10-12 afrime cilësore, sidomos në mbrojtje dhe në sulm.

Bashkia, si aksionere e vetme, nuk mund të bëjë më shumë se kaq. E them këtë sepse vitin e ardhshëm e shoh shumë të vështirë në aspektin e konkurrencës. Për këtë, Lushnjës i duhet të realizojë një goditje të fuqishme e të bollshme. Pa harruar që kemi 10 vjet që themi se Lushnja ka nevojë për ndërhyrje në infrastrukturë”, përfundoi ish-mesfushori.

ALBAN ALUSHI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"