Mërgjyshi “shkund” ekipin: Tregoni veten, nuk fitohet gjithnjë me…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 23, 2019 | 16:00

Mërgjyshi “shkund” ekipin: Tregoni veten, nuk fitohet gjithnjë me…

Pavarësisht qetësisë së zërit, Artan Mërgjyshi nuk e fsheh zhgënjimin pas barazimit në Shënkoll. I pakënaqur me lojën dhe rezultatin e javës së fundit, ai vazhdon të besojë. Gjatë një deklarate për “Panorama Sport” trajneri mundohet që ta “shkundë” skuadrën.

mergjyshi

“Pa mohuar lojën e mirë dhe të kujdesshme të Shënkollit, them se humbëm 2 pikë. I patëm të gjitha mundësitë për të fituar, duke pasur parasysh gjuajtjen e Smaçit që goditi traun në minutën e fundit. Megjithatë, nuk fitohet gjithmonë me fat, ndaj duhet lojë bindëse dhe rezultat i merituar. Jam i shqetësuar disi që ende nuk po dalim në lojën tonë. Edhe Shënkolli u bë një tjetër ‘leksion’ i vlefshëm për ne. Kemi fituar me 1 penallti ndaj Ilirisë në fushën tonë në minutat e fundit, kemi fituar me jo pak vështirësi ndaj Elbasanit dhe me një Turbinë ‘të gjysmuar’, teksa kemi humbur me rivalen kryesore, Lushnjën, dhe kemi barazuar në javën e fundit. Nuk është ky ‘hapi’ i duhur i Apolonisë. Kemi përpara 4 ndeshje të vështira, konkretisht: Pogradeci, Besa, Devolli dhe Oriku, pa llogaritur nëse luajmë në fushën tonë apo në transfertë.

Jo për nënvlerësim personal, por si përcaktim i opinionit të përgjithshëm sportiv, gjer tani, me përjashtim të Lushnjës, ne kemi luajtur me 4 ekipe që kanë synime mbijetesën dhe kemi vuajtur jo pak. Me përjashtim të Turbinës, me 3 ekipet e tjera kemi shënuar vetëm 2 gola, 1 prej të cilëve me penallti. E pra, nuk është kjo Apolonia që duhet dhe na mbetet ende punë në fazën sulmuese, që nga organizimi i aksioneve e gjer në pjesën përmbyllëse, atë të finalizimit. Patjetër që besoj te kjo skuadër dhe mendoj se është koha e duhur që ojtarët tanë ta tregojnë veten. Kemi bërë analizë të kujdesshme të ndeshjes me Shënkollin dhe kemi nxjerrë mësimet e duhura. Jemi fokusuar te Pogradeci, një skuadër e respektueshme dhe që luan futboll të mirë, por edhe të lejon të luash. Objektivi ynë mbetet maksimumi, por skuadra duhet të jetë e kujdesshme gjatë gjithë lojës dhe sidomos në sulm”, përfundoi trajneri i Apolonisë.

Bujar Rama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"