Mërgjyshi flet hapur dhe pranon gabimet: Kurrë më lojtarë apriori tek Apolonia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 31, 2019 | 11:13

Mërgjyshi flet hapur dhe pranon gabimet: Kurrë më lojtarë apriori tek Apolonia

Fundviti është koha e analizave sportive. Në këtë aspekt, trajneri i Apolonisë, Artan Mërgjyshi, kalon në “skaner” 12 javët e para të kampionatit. Në intervistën e fundit të 2019-ës, 51-vjeçari i stolit fierak i thotë të gjitha vetëm për “Panorama Sport”.

mergjyshi

Mërgjyshi, e mbyllët të tretët këtë vit. I kënaqur me këtë pozicion?

Nuk mund të them se jam i kënaqur, pretendimet tona janë për më tepër, por duke parë vështirësitë dhe grupin relativisht të ri të skuadrës, që gati u ribë, mendoj se arritëm ta përvetësonim deri diku mirë lojën dhe rezultatet janë pozitive. Duke parë diferencën 3 pikë me kreun, them se jemi në garë. E theksoj, s’jam shumë i kënaqur me kaq.

Çfarë vlerësoni më shumë te skuadra juaj?

Përkushtimin, dëshirën e grupit dhe kushtet komode për të punuar, pa harruar mbështetjen që kam nga të gjithë, drejtuesit dhe skuadra. Lojtarët janë gati të thithin atë që dua të transmetoj e të marr nga ky grup. Kjo gjë më jep entuziazëm. I njoh mirë lojtarët dhe e di çfarë mund të japin, sikurse ata m’i njohin “huqet” dhe po e përvetësojnë përherë e më mirë filozofinë e lojës që dua.

Ku ka gabuar Apolonia në 12 javë, cilat janë pikat e dobëta të saj?

Kemi gabuar në merkato, pa harruar faktorë të tjerë, si largimi i Priftit për arsye familjare, ardhja “apriori” e Oforit, huazimi i Cekës, lojtar me vlera por që nuk i shprehu te ne nga dëmtimet, po ashtu edhe Branica. Pa mohuar vlerat e këtij të fundit, në fillim ishte shumë mirë te ne, por dëmtimi nuk e la të kontribuonte për skuadrën. Edhe Smaçi, Nako e Sharavolli kanë vuajtur dëmtimet.

Po gabimet në fushë?

Mund të veçoj humbjen me Lushnjën në transfertë, ku nuk ditëm të ruanim epërsinë e golit, nuk duhej të dilnim pa pikë. Vinim nga 3 fitore rresht dhe nuk na lejohej ta humbnin ritmin. Na kanë dëmtuar më tepër ndeshjet me rivalët, duhet t’i menaxhonim më mirë.

Ju thoni gjithmonë “do bëjmë një paraqitje dinjitoze”. E keni “mburojë”, pse trembeni të thoni se Apolonia synon Superioren?

Nuk trembem nga asgjë, por jam i vetëdijshëm për atë që na priste, e njoh kampionatin, mentalitetin dhe skuadrën time. Deklarimi im nuk duhet kuptuar si shmangie përgjegjësie e objektivit. Jemi treguar dinjitozë gjer tani dhe besoj fort se do mbetemi të tillë, pa iu shmangur objektivit të Superiores. Ja, e thashë (qesh).

Lojtarë që vijnë në verë e ikin në dimër dhe as ju s’i shpëtuat kësaj “sindrome”. Po testoni edhe 18-vjeçarë, pse? Të luajnë me U-19-ën?

Pyetje me vend. Merkatoja jo gjithmonë rezulton e duhura, ndodh në çdo ekip. Ka dhe dështime, por mendoj se bëmë afrime cilësore në verë. Smaçi e Ymeraj, por edhe Ceka, Branica e Sharavolli, për arsye të ndryshme nuk kanë shfaqur më të mirën.

Dështim quaj vetëm Oforin. As Krasniqi s’është “dështim vere”, ka pasuar probleme fizike dhe mbetet futbollist cilësor. Testimi i të rinjve ka të bëjë me filozofinë e klubit. Apolonia është ndër modelet më të mira të promovimit të të rinjve, shihni ecurinë e ekipeve të grupmoshave. Jo se ata lojtarë që testojmë, i duam për “fiks” për ekipin e parë. Uroj të vlejnë dhe ata janë më së shumti “evidencë” e së ardhmes së skuadrës.

Me këtë linjë do të vazhdoni në janar?

Nuk jemi naivë të besojmë se me këtë kontingjent ia dalim për Superioren. Kam biseduar me drejtuesit e klubit për nevojat që kemi. Kam kërkuar emra me përvojë në pozicionet që na duhen dhe ata më kanë premtuar. Shumë shpejt do të kemi akord me lojtarë cilësorë.

Nga tregu vendës apo i huaj?

I alternuar, gjithandej. Ku të gjejmë më të mirët.

Nga tregu i huaj, prurje si Ofori?

Jo, kurrë më “apriori”. Pësuam dhe mësuam.

“Kartolina” juaj në këtë fundvit?

Mbarësi për gjithë shqiptarët, lojtarët, skuadrat e ndershme dhe gjithë futbollin shqiptar! Për lojtarët e mi, tifozët dhe klubin uroj ta ngjisim Apoloninë në Superiore! Askush s’e bën i vetëm, të gjithë po.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"