Mërgjyshi: Duam përforcime në të tria repartet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 29, 2020 | 13:27

Mërgjyshi: Duam përforcime në të tria repartet

Ka kaluar një provë të vështirë Apolonia e Fierit në ndeshjen e parë të vitit 2020. Me një skuadër gati gjysmë të ndryshuar nga ajo që mbylli vitin e kaluar, bardhejeshilët kanë arritur të marrin një fitore shumë të vlefshme dhe shpresëdhënëse jashtë fushe ndaj Ilirisë. Përtej thjesht një ndeshjeje të fituar, më shumë i kënaqur me pikët sesa me lojën, trajneri i Apolonisë, Artan Mërgjyshi, jep këtë intervistë për “Panorama Sport”.

mergjyshi

Si do ta vlerësonit në kompleks ndeshjen ndaj Ilirisë? 

Duke pasur parasysh shumë faktorë që na dëmtonin në këtë ndeshje do ta vlerësoj si një paraqitje pozitive edhe për vetë faktin që morëm maksimumin, në një fushë ku asnjë ekip tjetër nuk ka fituar, me një skuadër që ka bërë maksimumin dhe ka përdorur të gjitha mënyrat për të marrë pikë në këtë ndeshje. Ajo që më ngrohu më shumë në këtë takim, ka të bëjë me faktin se skuadra ishte shumë e bindur në aftësitë e veta për të marrë maksimumin dhe nuk ka bërë mbrapa në asnjë moment të lojës.

Qosanji vetëm 17 vjeç, Guri, Krasniqi, por edhe Kardhashi… 

Pyetje që vlen. Pas një rezultati pozitiv, edhe analizën mund ta bëjmë më qetë. Nuk e kemi pasur të lehtë për të vendosur formacionin bazë, pas mungesave të shumta të lojtarëve titullarë. Ama, kjo e bën të veçantë këtë ekip, pasi çdo lojtar, sado i ri në moshë, është gati të japë maksimumin në fushë. Edhe për lojtarët me eksperiencë, rikthimi pas pauzës së një faze ka problematikën e vet, aq më tepër për lojtarët e rinj. Unë jam i kënaqur me paraqitjen e Qosanjit dhe Gurit. I pari është vetëm 17 vjeç dhe me përjashtim të minutave të para, ka bërë një ndeshje të mirë, ndërsa Guri qe më i adaptuar, sepse e njihte mjedisin, ngaqë ka luajtur për Ilirinë pjesën e parë të kampionatit. Unë kam besim te të gjithë lojtarët e rinj, por ne kemi nevojë për të qenë me këmbë në tokë dhe presim me padurim që të na kthehen lojtarët e dëmtuar.

Kundër Ilirisë, Hysenshahaj, Andoni e Smaçi në stolin e rezervave?

Jo, nuk ishin të gatshëm për të luajtur në atë takim, e bëmë me dashje atë gjë, për ta mbajtur skuadrën të bashkuar. Gjithsesi, për ndeshjet e ardhshme, mund të them se do të kemi shumë shpejt të gatshëm dy lojtarë nga ky kontingjent i dëmtuar, konkretisht Andonin dhe Mehmetin.

mergjyshi korabi

 

Si ka qenë situata e përgjithshme e ndeshjes në Fushë-Krujë?

Pos asaj që dihej, që Iliria ishte shumë e karikuar për të marrë pikë, e natyrshme kjo teksa luante në fushën e vet, them se brenda fushës ka qenë një lojë shumë korrekte, brenda normave sportive, nuk pati gjëra të ekzagjeruara. Normale që ndonjëherë edhe publiku bëhet pjesë me qëndrimet dhe kontestimet për gjyqtarët, por është një pjesë që unë kam këndvështrim tjetër dhe kundërshtari ka këndvështrim tjetër, por them që ishte publiku që u bë faktor për disa ndërprerje të lojës, por që nuk pati asnjë ndikim te ne dhe as në rezultat, pasi ne ishim në punën tonë dhe e merituam gjithçka.

 E quajmë të mbyllur merkaton e Apolonisë?

Jo, nuk mund ta quajmë të mbyllur. Presim deri ditën e fundit, jemi në bisedime, por nuk mund të them asgjë konkrete për momentin. Nevojat e skuadrës janë për të tria repartet, sidomos në mbrojtje, por të shohim se çfarë mund të realizojmë. Kur të kemi konkretizim, dhe unë besoj se do të kemi, atëherë do jua bëjmë me dije.

Apolonia Elbasani

Kupa është në objektivat e Apolonisë? 

Ne do ta vlerësojmë maksimalisht, edhe pse nuk kemi shumë forca për ta përballuar, por do të luajmë me seriozitet dhe pa asnjë lëshim. Mendoni se është momenti për të parë përtej mbi vendin e tretë? E dimë që ndeshjet janë të vështira, pavarësisht se luajmë këtë javë me Shënkollin, që duket skuadër e lehtë, por nuk mendoj aspak se është e tillë, pasi ka aq humbje sa ne në këto javë, vetëm tri. Na duhet të jemi të kujdesshëm në çdo aspekt, të vlerësojmë në maksimum çdo kundërshtar dhe të mendojmë vetëm për ndeshjen e radhës, pa parë për renditjen. Fitoret e sjellin vetë suksesin.

Bujar Rama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"