“Më tha mercenar? Edhe unë ashtu do isha shprehur”, Kosta: Mes Ronaldos dhe Levandovskit më i mirë është…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 22, 2020 | 23:47

“Më tha mercenar? Edhe unë ashtu do isha shprehur”, Kosta: Mes Ronaldos dhe Levandovskit më i mirë është…

Duglas Kosta luajti dje 20 minutat e para me Bajernin e Mynihut në Ligën e Kampioneve, duke zëvendësuar në minutën e 93-të njeriun e fitores kundër Atletikos së Madridit, Kingslei Komanin. Gjithsesi, braziliani, i cili u rikthye në formë huazimi në radhët e bavarezëve kishte bërë jo pak bujë me një intervistë në faqet e të përditshmes “Bild”, ku preku disa tema të nxehta.

douglas-costa-bayern-munich-koln-bundesliga-24102015_1zqa3xqnvev7193rs3bmw2ras

JUVENTUSI – Lidhur me transferimin e tij nga Mynihu në Torino, 3 vite më parë, 30-vjeçari nënvizon: “Kur vendosa që të largohesha nga Bajerni, kisha shumë oferta, por kur Juventusi m’u paraqit me kontratën që kishte bërë gati për mua, nuk mund t’i thosha ‘jo’. Juventusi është një ndër klubet më të mëdha të botës dhe për më tepër doja që të fitoja Ligën e Kampioneve me ata, duke parë edhe urinë e tyre dhe faktin që nuk e fitonin prej shumë vitesh.

Më vjen keq që nuk ia dola, por ndoshta e fitoj këtu te Bajerni, – shprehet sulmuesi anësor, i cili lidhur me rikthimin në Mynih saktëson. – E vërteta është që kisha kohë që e mendoja se mund të rikthehesha një ditë edhe te Bajerni dhe ja tek dëshira ime u bë realitet. Në Mynih ndihem shumë i lumtur, jam komod në çdo aspekt, sepse rigjej shumë miq të mirë. Pavarësisht distancës në 3 vitet e fundit, e vërteta është se me Manuel Nojerin, Zherom Boatengun, Tomas Mylerin dhe Joshua Kimishin mbaja kontakte shumë të shpeshta, telefonata dhe mesazhe”.

Dagllas Kosta

CR7 DHE LEVA – Ndërkohë, pas eksperiencës me Ronaldon në Torino, në Mynih Duglas Kosta gjen bomberin e sezonit të kaluar, Robert Levandovskin, për të cilin braziliani nënvizon: “Unë kam pasur privilegjin që të luaj me shumë sulmues madhështore: me Nejmarin në kombëtare, me Ronaldon te Juventusi dhe tashmë me Levandovskin te Bajerni. Më i forti mes CR7 dhe Levës? Sezoni i kaluar dhe sot për sot, Levandovski është më i forti, por nëse sheh numrat, Kristiano gjatë të gjithë karrierës së tij ka qenë në një nivel superior dhe është ai më i forti”.

HËNES – Pasi u largua nga Bajerni, ish-presidenti Uli Hënes e quajti si mercenar Duglas Kostën, por me sa duket 30-vjeçari ka vendosur që t’i vërë kapak së shkuarës: “Nëse do të kisha qenë unë në vendin e Uli Hënesit, ndoshta në të njëjtën mënyrë do të isha shprehur, ndaj e kam lënë pas shpatullave këtë gjë”, përfundoi braziliani.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"