“Mënyra më e mirë për të ndjekur Botërorin është nga…”, Guardiola: Nuk do ta rrezikoj Halandin me Seviljen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 2, 2022 | 16:49

“Mënyra më e mirë për të ndjekur Botërorin është nga…”, Guardiola: Nuk do ta rrezikoj Halandin me Seviljen

Pep Guardiola e ka lënë jashtë Erling Halandin edhe nga ndeshja e sotme e Ligës së Kampioneve kundër Seviljes. Kampionët e Anglisë, të cilët janë kualifikuar në 1/8-at, ishin pa shërbimet e sulmuesit norvegjez edhe të shtunën pas një dëmtimi të tij në ndeshjen kundër Dortmundit javën e shkuar.

1244399125.0

Trajneri i Sitit, i cili tha se 22-vjeçari ndihet më mirë, nënvizoi në konferencë se nuk ia vlen që ta rrezikojë golashënuesin më të mirë të “Qytetarëve” këtë sezon.

“Ai nuk do të jetë në dispozicion. Ai ndihet më mirë krahasuar me të shtunën, të dielën, të hënën. Çdo ditë ndihet më mirë. Nuk është ende 100% dhe ne nuk duam të marrim asnjë rrezik. Shpresojmë që të rikthehet me Fulhamin”, tha tekniku për lojtarin që ka shënuar 22 gola në 16 ndeshjet e këtij sezoni. Ai pritet të bëjë rrotacion në ndeshjen e fundit dhe t’u japë shansin lojtarëve që kanë luajtur shumë pak deri në këtë moment.

“Është e rëndësishme që t’u japim shansin atyre që kanë luajtur pak. Vlen për ta, por jo për ndeshjen. Kur të kthehemi pas një muaji e gjysmë pas Botërorit është e rëndësishme që ata të kenë minuta. Unë nuk e di sesi do të na kthehen lojtarët nga Botërori. Asnjë trajner nuk e di. Të shohim se çfarë do të ndodhë”.

I pyetur nëse do të shkojë në Katar për ta ndjekur Botërorin nga afër, Pep tha: “Jo, do ta shoh nga shtëpia me verë të kuqe dhe kjo është mënyra më e mirë për ta ndjekur. Do të kemi një apo dy ditë pushimi, pastaj do të shkojmë në Abu Dhabi. Ndoshta do të luajmë një miqësore për ritmin. Do të kthehemi më pas në Angli për të qenë sa më shumë gati që të jetë e mundur për rinisjen e sezonit”, përfundoi ai.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"