Mentor Mazrekaj bëhet çështje, ndihet gati, por nuk luan

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 16, 2016 | 12:15

Mentor Mazrekaj bëhet çështje, ndihet gati, por nuk luan

A ka çështje “Mazrekaj” te Partizani? Çfarë po ndodh me Mazrekajn?  Pse Mazrekaj nuk grumbullohet dhe nuk luan me ekipin? A është i dëmtuar, apo trajneri nuk e ka në plane? Këto dhe shumë pyetje të tjera qarkullojnë në kampin e kuq rreth mungesës së mesfushorit kosovar.mentor mazrekajMentor Mazrekaj i ka “zët” prononcimet për mediat dhe personazh është bërë vetëm në rastet kur ka shkëlqyer me paraqitjen e tij, si dhe në “bëmat” jashtë fushës së blertë.

Prej javësh thuhet se Mazrekaj nuk luan se ende nuk është rikuperuar nga dëmtimi, por mësohet se lojtari është i gatshëm, por trajneri nuk e ka përfshirë në planet e tij që para derbit.

Është e vështirë që të marrësh një prononcim nga lojtari, që i ka “fobi” mediat, për të mësuar rreth gjendjes së tij, por miqve dhe tifozëve të ndryshëm u ka deklaruar se ndihet gati, por respekton në heshtje zgjedhjet e stafit. Normalisht, lindin pyetjet, Mazrekaj është i dëmtuar, trajneri nuk e ka në skemat e tij, apo mospërfshirja është ndonjë masë ndëshkuese në heshtje?

Mentor Mazrekaj është në sezonin e tretë me Partizanin, që nga koha që të kuqtë u rikthyen në Superiore. Mesfushori kosovar konsiderohet si një nga lojtarët më kualitativë të kryeqytetasve, por edhe të Kategorisë Superiore.

Sezoni i parë me fanellën e kuqe u shoqërua me ulje-ngritje, për vetë karakterin e lojtarit. Ndërsa në sezonin e dytë, kur ekipi drejtohej nga Shpëtim Duro, Mazrekaj zhvilloi një kampionat model, duke dalë edhe golashënuesi i dytë i ekipit. Edhe në dy fazat e para të këtij edicioni, Mazrekaj ka qenë një nga më të dalluarit për kryeqytetasit. Por, me ardhjen e trajnerit italian, Andrea Agostineli, Mazrekaj ka humbur shumë terren, madje as nuk po grumbullohet me ekipin.

Për herë të fundit 27-vjeçari ka qenë titullar në javën e 20-të ndaj Flamurtarit, ndërsa në gjashtë ndeshjet në vijim ka luajtur vetëm 7 minutat e fundit të derbit. Para se të deklarohej i dëmtuar, trajneri Agostineli e ka kritikuar hapur lojtarin, pasi e mban shumë topin dhe në rastet kur gabon në pasim rrezikon ekipin në fazën mbrojtëse. Pas Fazliut dhe deri diku Bicajt, Mazrekaj shikohet si titullari i radhës i “kryqëzuar” nga 58- vjeçari italian.

Përgatiti: Ilir Cara

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"