Mensah tregon momentet e sikletshme në Korçë: Më krahasojnë me Olainkën, do të lë shenjë te Skënderbeu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 24, 2021 | 12:27

Mensah tregon momentet e sikletshme në Korçë: Më krahasojnë me Olainkën, do të lë shenjë te Skënderbeu

Mbetet golashënuesi më i mirë i Skënderbeut dhe njeriu i ndeshjeve përcaktuese për korçarët. Alfred Mensah është futbollisti i momentit në radhët e Skënderbeut. Në një intervistë ndryshe për “Panorama Sport”, sulmuesi ganez tregon përjetimin sezonal me ulje-ngritje në Korçë, si dhe ëndrrën e madhe që po e ndjek në çdo hap që nga momenti kur mbërriti te Skënderbeu.

alfred mensah

Mensah, jeni njeriu i zgjidhjes së situatave te Skënderbeu…

Më vjen mirë për këtë gjë. Mund të them se kur një sulmues shënon, fiton penallti apo ndihmon ekipin që të arrijë objektivin e një takimi, patjetër që është një kënaqësi e madhe. Gjithmonë, një lojtar i çfarëdo klubi qoftë ai, përpiqet për të bërë maksimumin dhe sforcot e tij të shërbejnë për mirë. Këtë po mundohem të bëj edhe unë në Korçë. Të lë shenjë te ky klub, ku shumë të tjerë e kanë bërë para meje.

Si e shpjegoni faktin që sa herë flisni ju, Skënderbeu fiton?

Është një rastësi e çuditshme, por personalisht më bën të ndihem mirë fakti që ju e keni evidentuar një gjë të tillë. Duket si ogur i mirë për mua dhe për klubin, ku pas çdo interviste kam shënuar. Kjo do të thotë se duhet t’i kërkoni klubit që unë të flas më shpesh. Batutë kjo. E rëndësishme është që të punojmë fort dhe të japim të gjithë më të mirën tonë për të shpëtuar sezonin dhe për të mbijetuar në kategorinë e më të mirëve. Kjo do të na plotësonte të gjithëve.

Si është ndier Alfred Mensah gjatë kësaj periudhe në Korçë?

Të them të drejtën, fillimi ka qenë tejet i vështirë për mua. Nëse ju kujtohet, kur erdha fillimisht në Korçë e gjeta veten të mënjanuar duke u stërvitur me pjesën e ekipit që nuk ishin në planet e trajnerit për formacion dhe as për të grumbulluarit në një takim. Por, vetëm falë forcës, vullnetit dhe dëshirës për të bërë mirë ia dola. Madje, më kujtohet momenti i parë i bashkimit me ekipin. Trajneri Daja vë re elemente të rëndësishme tek unë dhe një ditë të zakonshme përgatitjeje më jep fanellën e stërvitjes. Kjo ditë ndryshoi prezantimin tim në Korçë. Nuk ishte për faj të klubit apo stafit, por koha që unë doja për përshtatje dhe reflektim.

Mensah

Cili ka qenë momenti më i sikletshëm në Korçë?

Sërish ka qenë ajo periudhë, kur unë sapo isha bashkuar me ekipin dhe po kryenim ushtrime force. Nuk ia kisha idenë dhe nuk isha përballur ndonjëherë me të tilla ushtrime, pasi luaja në një realitet tjetër. Kjo ka shkaktuar të qeshura pa fund nga shokët e mi.

Së fundi kë ka idhull Mensah dhe kujt mundohet t’i ngjajë?

Kur kam ardhur në Korçë kisha parasysh faktin që nga këtu janë bërë shumë transferime në ekipe të tjera europiane. Të gjithë në Korçë më thonë se i ngjaj Olainkës nga stili i lojës. Shpresoj që të bëj gjysmën e karrierës së tij të suksesshme. Por, një gjë e kam pasur parasysh që në fillim, nga Shqipëria, më lehtë del në merkato me fanellën e Skënderbeut, sesa me uniformën e çdo skuadre tjetër.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"