Menjëherë një lider te kampionët, Aleksi: Tirana synon tripletën, për kontratën do të flasim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 9, 2022 | 8:30

Menjëherë një lider te kampionët, Aleksi: Tirana synon tripletën, për kontratën do të flasim

Albano Aleksi është i qartë. Kjo Tiranë i kërkon tre trofetë këtë sezon. Një prej tyre, Superkupën, e futi në xhep, ndërsa tani ka për të fituar edhe titullin kampion dhe Kupën. Në intervistën për “Panorama Sport”, lojtari tha se u ka kërkuar shokëve në dhomat e zhveshjeve që të bëjnë maksimumin për të arritur tripletën.

aleksi

Aleksi është një njohje e vjetër e Superiores. Në sezonet e fundit ai ka luajtur me Teutën. 30-vjeçari u bë shumë shpejt një lider te Tirana, teksa te Teuta për tri sezone radhazi dha një kontribut të jashtëzakonshëm. Me fanellën e “djemve të detit” fitoi gjithçka: një titull kampion, një Kupë dhe dy Superkupa. Mesfushori u aktivizua në 95 ndeshje kampionati me Teutën, 19 në Kupë, 2 herë në Superkupë dhe 9 ndeshje ndërkombëtare (Champions dhe Liga e Europës). Me Tiranën, ka luajtur 2 herë në Champions, 2 Konferencë Ligë, 12 ndeshje në Superiore dhe një në Superkupën e Shqipërisë.

Një tjetër trofe i fituar. Në mos gabohem e keni fituar këtë trofe kundër Tiranës dy vite më parë?

Po, është e vërtetë që e kam fituar edhe një herë tjetër këtë trofe. Çdo kupë ka shijen e vet. Nga ana personale është trofeu i parë me Tiranën dhe shpresoj që të ketë të tjerë në vazhdim. Besoj se ne e merituam plotësisht këtë fitore dhe duhet të tregojmë edhe në kampionat kush jemi. Të vazhdojmë me këtë ritëm dhe të jemi gjithmonë në krye.

Modestisht ju jeni motori i skuadrës. Në një moment madje shkuat në qendër të sulmit për të bërë presing. Goxha formë?

Besoj se të gjithë e meritojmë këtë fanellë dhe bëjmë gjithçka për të. Unë bëj punën time. Shpresoj që të vazhdoj me këtë ritëm dhe të ndihmoj sa më shumë ekipin dhe të kemi vazhdimësi.

Një trofe iku, Aleksi, Tirana ka mundësi që të bëjë tripletën këtë sezon?

Sa po flisnim. Kampionati është shumë i gjatë. Gjithsesi, unë u thashë djemve pas fundit të ndeshjes se kam besim dhe dëshiroj që ne t’i fitojmë të tre trofetë. Disa nga djemtë nuk kanë fituar Kupën e Shqipërisë e disa kampionatin dhe shpresojmë t’i fitojmë dy trofetë e tjerë e të arrijmë një sukses më të madh në Kupat e Europës.

Një skuadër që u ndërtua nga e para pas Europës. Grupi ka treguar forcë karakteri. Ju çfarë mendimi keni?

Unë mendoj se meritë ka presidenca, stafi teknik që ndërtoi një skuadër nga e para. Kjo tregon se lojtarët janë njëlloj dhe skuadra është po aq e fortë paçka se kush ikën e kush qëndron. Shpresoj që ky të jetë fillimi për Tiranën dhe të fitojë ende trofe.

Mesa kuptohet, Aleksi mund të qëndrojë gjatë te Tirana apo do të jeni këtu deri në fund?

Nuk mund të flas. Unë kam kontratë deri në fund të kampionatit. Shpresoj që të vazhdoj me këtë ritëm dhe në fund të fitojmë kampionatin. Pastaj bisedojmë për të ardhmen.

Ama ju jeni nga më të pëlqyerit e presidentit, Refik Halili. Këtë e ka deklaruar edhe publikisht…

Presidentit faleminderit për fjalët e mira që ka thënë. Gjithsesi, është shpejt për të folur për këtë gjë. Shpresoj që të fitojmë kampionatin dhe më pas kemi kohë për folur.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"