“Mendova të ikja”, Moçka: Me këtë grup ngjitemi direkt, si më bindën drejtuesit e Flamurtarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 31, 2021 | 23:40

“Mendova të ikja”, Moçka: Me këtë grup ngjitemi direkt, si më bindën drejtuesit e Flamurtarit

Shpëtim Moçka nuk e braktis Flamurtarin. Pas Andi Ribajt, edhe portieri ka vendosur që të qëndrojë. Edhe pse do t’i duhet të luajë në Kategorinë e Dytë, nuk shqetësohet dhe është gati të ndërmarrë këtë sfidë në karrierën e tij. Nuk e ka pasur të lehtë që të thotë “po”, aq sa e pranon që ka menduar seriozisht largimin pas rënies dhe kjo prej mërzisë.

Flamurtari Mocka

Gjatë një interviste të dhënë enkas për “Panorama Sport”, ai na zbulon si u bind nga klubi dhe me siguri e thotë që fundi i sezonit 2021-2022 do t’i gjejë të ngjitur.

Moçka, çfarë ju bindi që të vijonit te Flamurtari?

Më bindi projekti i presidentit. Është aq i vendosur për ta ngjitur direkt ekipin në Kategorinë e Parë, sa nuk i thashë dot “jo”.

Por, nuk do ta lërë me kaq. Ambicia shkon më larg, klubi synon që të kthehet në elitë sa më shpejt. Normal që kjo kërkon shumë punë, por unë jam i bindur se do të realizohet në një kohë të afërt, pasi shoh një projekt shumë të mirë për ta rikthyer ekipin aty ku e ka vendin.

Çfarë sigurie keni marrë nga drejtuesit?

Kemi marrë siguri që çdo gjë do të ndryshojë. Nuk do të jetë më Flamurtari me probleme, por ato tashmë mund të quhen të kapërcyera dhe kjo, për shkak se të gjithë e kërkojnë ringritjen dhe janë shumë të interesuar që kjo gjë të ndodhë dhe që patjetër ne do ta arrijmë.

Sa shpresoni te ringjitja sa më shpejt në elitë?

Me grupin që po ndërtohet kam besimin maksimal. Unë jam shumë i bindur që do të ngjitemi në Kategorinë e Parë. Klubi është duke punuar. Ju e keni parë edhe vetë. Kemi afruar lojtarë shumë cilësorë që bëjnë diferencën.

Presim edhe të tjerë. Do të jetë një grup shumë i mirë dhe që do të bëjë më të mirën. Drejtuesit e klubit po bëjnë të gjitha përpjekjet që Flamurtari të shkojë në Superiore sa më shpejt që të jetë e mundur. Është një projekt shumë i mirë dhe ambicioz. Më besoni për këtë.

Kategoria e Dytë është një tokë e pashkelur për ju. Mendoni se do ta keni të vështirë?

Normal që po. Edhe Kategoria e Parë ishte e vështirë. Edhe pse është nivel më i ulët, di që luhet futboll i ashpër dhe jo komod. I referohem infrastrukturës, që nuk është si në elitë. Por, nuk kemi çfarë të bëjmë. Do të përshtatemi. Kemi lojtarë me eksperiencë që normalisht do ta ndihmojnë shumë skuadrën.

Nga rënia e deri tani, çfarë ka ndodhur me Moçkën?  Ju ka shkuar në mendje largimi nga Flamurtari?

Të them të drejtën, po. Për një moment mendova largimin, pasi isha shumë i mërzitur nga rënia nga kategoria. Por aktualisht jam i përqendruar maksimalisht për të dhënë më të mirën dhe për ta ngjitur Flamurtarin aty ku i takon.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"